S’pati veturë kur Arlinda kërkoi ndihmë dhe u dorëzua nga stacioni policor tek vrasësi, por Policia nxitoi të shfaq si “sukses” arrestimin e Albert Sylaj mbrëmë

I dyshuari për vrasjen e kunatës së tij, Albert Sylaj, është arrestuar mbrëmë në malet e Deçanit pasi i njëjti ishte në arrati që nga nata e vrasjes të dielën e 25 tetorit. Sylaj u lokalizua fillimisht por i njëjti kishte kërkesa specifike. Si fillim ai kërkoi të flasë 10 minuta me familjarët, e më…

Lajme

28/10/2026 10:14

I dyshuari për vrasjen e kunatës së tij, Albert Sylaj, është arrestuar mbrëmë në malet e Deçanit pasi i njëjti ishte në arrati që nga nata e vrasjes të dielën e 25 tetorit.

Sylaj u lokalizua fillimisht por i njëjti kishte kërkesa specifike.

Si fillim ai kërkoi të flasë 10 minuta me familjarët, e më pas kërkoi që të arrestohet nga Njësia Elitare “FIT”.

Krejt këto kërkesa që nuk janë aspak të rregullta siç duket u plotësuan nga Policia, që ai të vihej në pranga.

Pas arrestimit, Sylaj u dërgua në stacion policor të Pejës.

Por ishte Policia e Kosovës e cila nuk vonoi fare e lëshoi një njoftim mbi arrestimin e tij duke tentuar që të shfaqin “efikasitetin” në arritjen e arrestimit.

“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës”.

Por ku ishin Policia që të mos ndodhte fare ky rast?

Në fakt pse zyrtarët policorë nuk u lajmëruan në kohë kur Arlinda Zekaj telefonoi në “192” dhe asaj iu tha se nuk kanë veturë të patrullës në dispozicion dhe se do të vonoheshin për rreth 70 minuta.

Madje zyrtarët policorë ishin pikërisht ata që më pas e kthyen atë në shtëpinë ku po rrinin kunati, vjehrra e të tjerët duke i dhënë në vazhdimësi presion e kërcënime të njëpasnjëshme.

Derisa Policia e Kosovës tentoi mbrëmë që ta cilësoi si “arritje” arrestimin e të dyshuarit, në fakt ky institucion dhe Inspektorati Policor i Kosovës do të duhej veçse të merrnin masa.

Tani kur ka kaluar gati tri ditë që nga ngjarja tragjike ku Arlinda u vra mizorisht me sëpatë nga kunati, ende asnjë zyrtar policor nuk është larguar. Ende nuk janë bërë publik emrat e atyre që neglizhuan rastin e saj dhe ende asnjë masë nuk është marrë.

Sikurse në Polici , ngjashëm edhe në Prokurori. Pavarësisht thirrjeve të Arlindës që t’i ofronin siguri, edhe nga Prokuroria u tha se rasti po merrej me seriozitet, por në fakt seriozitet s’pati.

Lajmi.ne tka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe të tjerët, por ende nuk ka pasur një përgjigje nga këta të fundit.

Pra derisa policia nuk ofroi siguri dhe nuk i doli në ndihmë, e ngjashëm vepruan edhe nga Prokuroria QPS e të tjerët rasti i Arlinda Zekaj shfaq neglizhencën e plotë të institucioneve. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot deklaroi se pret deri nesër në ora 18:00 raportin e ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme dhe se detajet do t’i bëjë të ditura sa i përket këtyre neglizhencave.

E në këtë rast s’pati as edhe një dorëheqje morale.

Madje në Kosovë janë të rrallë këto raste kur bëhet dorëheqje morale.

Ishte ministri i Brendshëm Fatmir Rexhepi që pati dhënë dorëheqje kur në protesta u vranë dy persona dhe ishte drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti i cili pati dhënë dorëheqje morale pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.

Të tjerët thjesht në heshtje, anipse kërkesat për dorëheqje janë të zëshme çdo ditë./Lajmi.net/