Spanja nuk ua jep vizat boksierëve kosovarë, pengohet pjesëmarrja në Kampionatin Botëror
Kosova po vazhdon të ketë pengesa me pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare nga vendet të cilat nuk e njohin atë si shtet. Pengesa e fundit ka ardhur nga Spanja, ku ambasada spanjolle në Shkup ka refuzuar vizat e boksierëve kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të boksit në Alicane, La Nucia të…
Sport
Kosova po vazhdon të ketë pengesa me pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare nga vendet të cilat nuk e njohin atë si shtet.
Pengesa e fundit ka ardhur nga Spanja, ku ambasada spanjolle në Shkup ka refuzuar vizat e boksierëve kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të boksit në Alicane, La Nucia të Spanjës, transmeton lajmi.net.
Ekipi i Kosovës, në përbërje prej dy boksierëve, Taulant Jakupi dhe Donat Syla, trajnerit Besim Brashimi dhe gjyqtarit ndërkombëtarë, Latif Demollit, pavarësisht se është paraqitur në kohë për pjesëmarrje në këtë Botëror, ka marrë përgjigje negative për viza nga ambasada spanjolle.
Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarime nga Federata Botërore e boksit (IBA) për mos-pajisje me viza, ndërsa beson se politika nuk duhet t’i ndalojë sportistët tanë të marrin pjesë në këtë Botëror.
“Kjo nuk është hera e parë që ne si pjesë e Federates Botërore IBA nuk lejohemi të marrim pjesë në ngjarje botërore si më parë që ka ndodhur në Indi, Serbi, e tash në Spanjë dhe ndjehemi të diskriminuar”, shkruante në komunikatën e FboxK.
“Ne kemi Kërkuar nga IBA që të angazhohet dhe të bëj përpjekje që boksierët tanë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë të drejtë të marrin pjesë në të gjitha ngjarje e mëdha si të gjithë boksierët e federatave të tjera që janë nën ombrellën e IBA-së”, shkruante më tej në komunikatën e Fboxk.
Në komunikatën e saj, Federata e Boksit të Kosovës ka publikuar edhe email-at me Ambasadën e Spanjës në Shkup, ku kjo e fundit e ka konfirmuar se si pasojë e situatës politike nuk mund të lëshojnë vizat pa u konsultuar me Ambasadën e Spanjës në Madrid.
Më poshtë lajmi.net jua përcjell postimin e federatës së boksit./Lajmi.net/