Spalletti i dërgon mesazh Zhegrovës: Talenti nuk mjafton, duhet të luash për ekipin
Edon Zhegrova ka marrë vlerësime nga trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, pas paraqitjes së tij të fundit ku edhe shënoi gol, por tekniku italian theksoi se sulmuesi kosovar duhet ta vendosë talentin individual në shërbim të skuadrës. Në konferencën për media, Spalletti pranoi se Zhegrova tregoi cilësitë që e karakterizojnë, sidomos në momentet kur kishte…
Sport
Edon Zhegrova ka marrë vlerësime nga trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, pas paraqitjes së tij të fundit ku edhe shënoi gol, por tekniku italian theksoi se sulmuesi kosovar duhet ta vendosë talentin individual në shërbim të skuadrës.
Në konferencën për media, Spalletti pranoi se Zhegrova tregoi cilësitë që e karakterizojnë, sidomos në momentet kur kishte topin në kontroll, megjithëse nuk munguan edhe disa gabime në posedim.
“Zhegrova luajti mirë. Humbi disa topa, por tregoi cilësitë e tij me topin në këmbë. Tani mbetet që këto cilësi të futen brenda asaj ‘kutie’ që i lejon skuadrës të funksionojë si një ekip i vërtetë”, deklaroi ai.
Trajneri italian u ndal edhe te mënyra se si duhet të vlerësohet performanca e një futbollisti, duke theksuar se statistikat individuale nuk janë gjithmonë treguesi më i mirë i kontributit në fushë.
“Goli të jep kënaqësi, por mbi të gjitha ka rëndësi paraqitja. Nuk mjafton një asist apo një gol nëse nuk e ndihmon skuadrën gjatë 90 minutave të tjera. Një gol shënohet për një minutë, ndërsa ndeshja zgjat 96. Ajo që ka vërtet rëndësi është qëndrimi dhe kontributi gjatë gjithë ndeshjes”, shtoi Spalletti.