Spahiu: Të mos kemi qeveri në këtë kohë është e dëmshme dhe e frikshme

Ngërçi institucional po e dëmton vendin si në proceset e brendshme, ashtu edhe në rrugën integruese, sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, i cili thotë se mungesa e qeverisë në këtë kohë “është shumë e dëmshme dhe e frikshme”. Kosova është në krizë institucionale – pa Kuvend funksional, edhe pesë muaj…

Lajme

08/07/2025 12:42

Ngërçi institucional po e dëmton vendin si në proceset e brendshme, ashtu edhe në rrugën integruese, sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, i cili thotë se mungesa e qeverisë në këtë kohë “është shumë e dëmshme dhe e frikshme”.

Kosova është në krizë institucionale – pa Kuvend funksional, edhe pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në këtë pozitë. Ata po kërkojnë votim të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.

Spahiu, kritikon politikanët për mungesë konsensusi.

“Është shumë e thjeshtë, nëse ka vullnet politik dhe nëse arrihet një konsensus, duhet një komunikim ndërpartiak për ta kaluar këtë situatë. Partia që ka fituar shumicën e ka, po ashtu, zgjidhjen në dorë, nëse nuk kalon një kandidat shumë herë atëherë mund të paraqitej një tjetër dhe kjo nuk do të ishte diçka e jashtëzakonshme… Nga ky aspekt lehtë do të mund të zgjidhej një çështje, po ashtu nga ana tjetër e partive opozitare është një kryengritësi që në asnjë mënyrë nuk pranojnë të gjejnë një zgjidhje, por kanë marrë një pozicionin të palëkundshëm dhe kërkojnë me çdo kusht që partia e parë të bëjë ndryshimet dhe këta nuk janë të gatshëm të bëjnë një kompromis”, thotë Spahiu.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e ka nxjerr 26 korrikun si afatin e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por, nuk ka paraparë pasoja nëse Kuvendi nuk bëhet deri atëherë.

Deputetët nuk kanë ndryshuar qëndrim as pas aktgjykimit të Kushtetues, të paktën deri në vazhdimin e seancës së fundit të hënën – tentimit të 43-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Thirrje për dalje nga kjo situatë janë bërë brenda dhe jashtë Kosovës.

Deri më tash, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime bashkë, dhe të ndara, me përfaqësues të partive politike – me qëllim daljen nga kjo krizë. Por, nuk është shënuar ndonjë rezultat pozitiv.

Ish-ambasadori Avni Spahiu thekson dëmet që po i shkaktohen Kosovës si pasojë e mosformimit të institucioneve të reja.

“Dëmtohet sepse nuk funksionin shteti, kemi një sërë çështjesh, sidomos në raporte ndërkombëtare, marrëveshje të tjera që presin të kalojnë në parlament dhe që të vazhdohet më tutje në procese të ndryshme, sidomos integruese me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo dëmton, por edhe në aspektin e brendshëm është koha kur po ndodhin shumë gjëra dhe të mos kemi qeveri në vend në këtë kohë është shumë e dëmshme dhe e frikshme”, thekson ai.

Ai thekson nevojën që Kosova të jetë e pranishme në arenën ndërkombëtare në mënyrë që, sipas tij, të largohen edhe masat ndëshkuese që i janë vendosur më 2023, pas tensioneve në veri të vendit.

Në muajin maj, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas deklaroi se blloku ka nisur heqjen graduale të masave ndaj Kosovës, por pa treguar se cilat specifikisht.

“Ne duhet të jemi më të pranishëm gjithkund, duhet të bëjmë përpjekje që ne të lirohemi prej këtyre masave që ka pasur ndaj Kosovës, ka shenja të mira, por duhet të punojmë sidomos në këtë aspekt dhe që të jemi të pranishëm gjithkund në forumet ndërkombëtare dhe të dëgjohen zëri i Kosovës më shumë”, thotë Spahiu./kp