Sot zhvillohet finalja e madhe e Superkupës së Kosovës në Basketboll

Sot do të luhet finalja e Superkupës së Kosovës në Basketboll mes Prizrenit dhe Trepçës, duke filluar nga ora 17:00.

Sport

05/09/2021 10:32

Skuadra e Prizrenit në çerekfinale fillimisht mposhti skuadrën e Dritës, gjersa në gjysmëfinale e ‘gjunjëzoi’ skuadrën e përforcuar të Pejës.

Në anën tjetër, klubi nga Mitrovica, Trepça rrugëtimin në çerekfinale e nisi ndaj Rahovecit ku triumfoi me rezultat të ngushtë, gjersa në gjysmëfinale ‘minatorët’ mposhtën bindshëm kampionët aktual, Golden Eagle Yllin.

Për Prizrenin kjo do të jetë finalja e parë në histori të klubit, gjersa për Trepçën finalja e parë pas 9 viteve.

Për të dy skuadrat do të ishte një triumf madhështor, për Prizrenasit që do të rrëmbenin trofeun e parë në histori të klubit, dhe për Mitrovicasit që do të kthenin ‘lavdinë’ për të sjellur trofeun në qytet pas një kohe të gjatë.

Te dy skuadrat janë përforcuar mjaftueshëm me të huaj e vendor dhe kësisoj do të jetë një super derbi i paparashikueshëm.

Finalja do të luhet në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 dhe transmetohet në kanalet e ArtMotion dhe Kujtesës. /Lajmi.net