Sot u mbajt akademi përkujtimore për aktorin e njohur Avdush Hasanin

Udhëheqës komunalë, pjesëtarë të komunitetit artistik, artdashës e qytetarë kanë nderuar sot aktorin e njohur, Avdush Hasani në 24-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

ShowBiz

10/01/2021 23:12

Sot për nderë të aktorit të njohur Avdush Hasani, drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në bashkëpunim me Teatrin “Avdush Hasani”, organizuan akademi përkujtimore, ku ishte i pranishëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu anëtarë të ekzekutivit komunal, familjarë të Avdush Hasanit, aktorë e regjisorë dhe qytetarë, shkruan lajmi.net.

Ndërsa kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se sot po kujtojmë e nderojmë veprën e aktorit të madh të përmasave kombëtare.

Shkrimi i plotë vijon si më poshtë:

“Në përvjetorin e vdekjes së artistit, Avdush Hasani, sot kemi bërë homazhe pranë varrit të tij në fshatin Pakashticë. Pas homazheve në Teatrin e Qytetit është mbajtur Akademi Përkujtimore e organizuar nga Komuna e Podujevës për nder të jetës dhe veprës së artistit të madh llapjan, Avdush Hasani.
Fjala ime e mbajtur para të pranishmëve:
E nderuara familje e artistit Avdush Hasani
E nderuara nënkryetare, drejtorë të drejtorive, asamblistë, aktivistë e qytetarë
E nderuara Doruntina Hasani, këshilltare në Kuvendin Komunal, dhe mbesa e Avdush Hasanit
Të nderuar aktorë, skenaristë, regjisorë
Është një nder i veçantë për mua që në këtë fillim vit të jem këtu në mesin e artistëve dhe bashkarisht ta kujtojmë e nderojmë veprën e aktorit të madh të përmasave kombëtare, Avdush Hasani.
Njerit që për dekada të tëra ka begatuar jetën tonë dhe me vlera sublime të artit skenik.
Avdush Hasani ishte një aktor i lindur. Ai shquhej për fizikusin e tij, zërin e thellë dhe kulturën e gjerë. Falë Avdush Hsanit ne pamë të gjallë Beselamin e Qosjes, Samsonin e Nolit, Akilin e Euridipit, Pjetër Bogdanin e Teki Dervishit e vepra të tjera skenike.
Avdushi foli në skenë, atje i tha të gjitha.
Foli shqip, vetëm shqip, sepse ishte artist i etnosit, artist me profil total shqiptar. Bëri jetë të pagabuar skenike. Në heshtje ujiti dhe kultivoi ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ai kishte një shpirt dhe një format aktori iliro shqiptar. Ishte jokonformist, aktor me vokacion të lindur dhe habitus të rrallë.
Me vdekjen e tij të hershme teatri dhe kultura shqiptare humbën një artist të madh.
Teatri në të kaluarën nuk ishte vetëm vend i shfaqjeve, por ishte një institucion i rëndësishëm në jetën e njerëzve dhe jo vetëm në mesin e elitave kulturore. Pra, edhe arti teatror ishte shprehje e aspiratave tona kombëtare dhe e ëndrrës sonë të madhe të lirisë. Ne sot mund ta kujtojmë me nostalgji atë ndikim që kishte teatri në jetën tonë kulturore e kombëtare.
Ndoshta ai ndikim i madh i teatrit nuk do të përsëritet më në atë formë dramatike, por ne duhet të punojmë më shumë që teatrin, artin në përgjithësi, ta ofrojmë më shumë me publikun. Në çfarëdo rrethane, ne do të jemi përkrahësit e përkushtuar që teatri ta realizojë misionin e vet fisnik.
Sot, artistët tanë të respektuar, vazhdojnë të na dhurojnë përjetime të bukura, sepse arti i mirëfilltë gjithmonë është aktual dhe artistët e vërtetë gjithmonë mbeten të rinj. Andaj, më lejoni që të shpreh konsideratën dhe respektin tim më të lartë, si dhe mirënjohjen e Komunës së Podujevës, për punën shumëvjeçare të artistëve tanë, në promovimin dhe avancimin e artit teatror në komunën tonë.
Më lejoni që të shpreh një respekt të lartë për gjithë ato personalitete të shquara të teatrit të Podujevës që fizikisht më nuk janë në mesin tonë. Ne jetojmë me kujtimin për ta dhe me vlerat që ata ka kanë lënë trashëgim, e që do të jenë përherë një burim frymëzimi për gjeneratat e reja.
Ju faleminderit!”/Lajmi.net/

Posted by Shpejtim Bulliqi on Sunday, January 10, 2021