Sot përpjekja e 28-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të kthehen sërish në sallën plenare të shtunën, një ditë pas festës së Kurban Bajramit, në një tjetër përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e re. Seanca, e cila shënon tentativën e 28-të që nga zgjedhjet e mbajtura katër muaj më parë, është thirrur për ora 11:00, por…

Lajme

07/06/2025 08:15

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të kthehen sërish në sallën plenare të shtunën, një ditë pas festës së Kurban Bajramit, në një tjetër përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e re.

Seanca, e cila shënon tentativën e 28-të që nga zgjedhjet e mbajtura katër muaj më parë, është thirrur për ora 11:00, por as kësaj radhe nuk ka sinjale konkrete që bllokada do të marrë fund.

Të enjten, për të 27-ën herë me radhë, Kuvendi nuk arriti të funksionalizohet. Në dallim nga praktika e zakonshme që seancat të mbahen çdo 48 orë, kjo u thirr pas vetëm 24 orësh me dakordim të përgjithshëm që e premtja të lihet pushim për shkak të festës së Kurban Bajramit.

Ngërçi në Kuvend po vazhdon për shkak të qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston në votim të fshehtë për kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun.

Ajo nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme të votave për të udhëhequr Kuvendin, ndërkohë që partitë opozitare kanë refuzuar mbështetjen duke theksuar mungesën e konsensusit rreth saj.