Sot përfundon epoka e Vjosa Osmanit në presidencë, detyra kalon përkohësisht te Albulena Haxhiu
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmbyll sot (4 prill) mandatin e saj pesëvjeçar, duke ia dorëzuar detyrën kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit do të mbahet në kabinetin e presidentes në orën 16:00, sipas njoftimit nga presidenca. Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021, në…
Lajme
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmbyll sot (4 prill) mandatin e saj pesëvjeçar, duke ia dorëzuar detyrën kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit do të mbahet në kabinetin e presidentes në orën 16:00, sipas njoftimit nga presidenca.
Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku në raundin e tretë mori 71 vota nga 82 deputetë që morën pjesë në votim. Në atë proces, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa kandidati tjetër, Nasuf Bejta, nuk mori asnjë votë, transmeton lajmi.net.
Para këtij rezultati, u zhvilluan edhe dy raunde votimi. Në raundin e parë, Osmani mori 69 vota nga 81 deputetë, ndërsa në të dytin 67 vota, por pa arritur pragun e nevojshëm kushtetues për t’u zgjedhur presidente.
Pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në raundin e tretë, Osmani bëri betimin para deputetëve dhe më pas u intonua himni shtetëror. Në fjalimin e saj inaugurues, ajo theksoi përgjegjësinë që sjell kjo detyrë dhe rëndësinë e përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse, duke inkurajuar vajzat dhe gratë që të ndjekin ëndrrat e tyre.
Në fjalën e saj, ajo kujtoi edhe figura të rëndësishme të historisë së Kosovës, si Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre për lirinë dhe shtetndërtimin.
Seanca parlamentare për zgjedhjen e presidentes kishte nisur më 3 prill 2021 dhe u mbyll pas përfundimit të procesit të votimit./lajmi.net/