Sot Kosova voton për Zgjedhjet Komunale
Sot, qytetarët e Kosovës u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit. Këtë herë, 2,025,105 votues brenda territorit të Kosovës pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa 43,993 qytetarë janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit. Të gjitha qendrat e votimit…

Lajme
Sot, qytetarët e Kosovës u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit.
Këtë herë, 2,025,105 votues brenda territorit të Kosovës pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa 43,993 qytetarë janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit.
Të gjitha qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit do të angazhohen Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Sipas KQZ-së, sot do të hapen 38 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. Votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi. Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 2,069,098.
Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 93 subjekte politike – 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,624, prej tyre 205 për kryetarë komunash dhe 5,419 për kuvendet komunale. Ndërkaq, votues të rinj janë 33,540, ndërsa 26,654 janë 18-vjeçarë që votojnë për herë të parë.