Sorensen: Takim Kurti-Vuçiq vetëm kur të jenë gati për rezultate konkrete, për zbatim të marrëveshjeve palët s’duhet ta presin njëra-tjetrën
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të vitit 2023 mbetet dukshëm prapa zotimeve që kanë marrë Kosova dhe Serbia, duke theksuar se të dyja palët kanë detyrime ligjërisht të detyrueshme që duhet t’i zbatojnë. Sorensen tha se, megjithëse dialogu ka prodhuar disa…
Lajme
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të vitit 2023 mbetet dukshëm prapa zotimeve që kanë marrë Kosova dhe Serbia, duke theksuar se të dyja palët kanë detyrime ligjërisht të detyrueshme që duhet t’i zbatojnë.
Sorensen tha se, megjithëse dialogu ka prodhuar disa rezultate konkrete, zbatimi i marrëveshjeve kryesore vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.
“Nuk është kënaqësia njësia matëse, por janë rezultatet konkrete. Dhe që kur kam marrë detyrën, rezultate të tilla janë arritur. Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur është takuar në formatin trepalësh për herë të parë në fillim të këtij viti – kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për familjet që kanë pritur me dekada për përgjigje rreth më të dashurve të tyre. Gjithashtu, gjetëm një zgjidhje të përkohshme për qytetarët serbë që punojnë dhe studiojnë në Kosovë, të cilët tani mund të pajisen me leje pune dhe qëndrimi. Pra, Dialogu po sjell rezultate për njerëzit. Por do të jem po aq i drejtpërdrejtë: sa u përket detyrimeve thelbësore të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit, zbatimi mbetet shumë nën nivelin e asaj për të cilën të dyja palët u zotuan – dhe atë çfarë qytetarët e tyre e meritojnë. Këtë ua kam thënë pikërisht si Beogradit, ashtu edhe Prishtinës, dhe fokusi im tani është t’i ndihmoj palët që t’i shndërrojnë ato zotime në realitet në terren”, tha Sorensen për Gazetën Express.
Duke folur për situatën politike në Kosovë, emisari evropian theksoi se obligimet e dialogut nuk pezullohen për shkak të zhvillimeve të brendshme politike.
“Mandati im është të ndihmoj Përfaqësuesen e Lartë të BE-së (Kaja Kallas) në lehtësimin e Dialogut Beograd-Prishtinë dhe unë komentoj vetëm atë që është relevante për këtë proces – çështjet e brendshme politike u takojnë qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Megjithatë, pyetja prek Dialogun, ndaj më lejoni të theksoj dy gjëra: së pari, vendimet me peshë kërkojnë institucione me mandat të plotë, ndërsa një periudhë e zgjatur qeverisjeje në detyrë kufizon mundësitë për vendimmarrje dhe zbatim. Së dyti – dhe ky është aspekti thelbësor – obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja janë detyruese për Beogradin dhe Prishtinën, jo vetëm për qeveritë e tanishme. Këto obligime nuk pezullohen për shkak të kalendarit zgjedhor apo negociatave për koalicione. Kjo vlen si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin. Detyra ime është ta mbaj procesin gjallë dhe në lëvizje, pavarësisht rrethanave – dhe ai ka vazhduar të japë rezultate.”
Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj, Sorensen ishte i prerë.
“Zbatimi nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Dhe zbatimi nuk është ‘opsional’. Të dyja palët e dinë këtë; BE-ja dhe shtetet anëtare e kanë thënë këtë shumë herë. Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj mbeten në fuqi. Ato janë ligjërisht të detyrueshme për të dy palët dhe përbëjnë një pjesë integrale të rrugëtimit evropian të secilës palë. Kalimi i kohës nuk ndryshon asgjë.”
Ai hodhi poshtë interpretimet se Kosova duhet të ndërmarrë hapin e parë në zbatimin e marrëveshjeve.
“Nuk bëhet fjalë për atë se kush e bën lëvizjen e parë. Asnjëra palë nuk ka nevojë të presë tjetrën. Për Kosovën, Aneksi është i qartë, për shembull, lidhur me mënyrën e zbatimit të Nenit 7 – po citoj: ‘Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për marrëveshje dhe garanci specifike që sigurojnë një nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb’. Ky detyrim mbetet në fuqi. Detyrimet e Serbisë – përfshirë moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pranimin e dokumenteve e simboleve të Kosovës – qëndron paralelisht. Të dyja janë njësoj të vonuara.”
Sorensen shtoi se Kosova duhet të tregojë transparencë për obligimet që ka marrë përsipër.
“Për të treguar transparencë lidhur me detyrimet e veta. Kjo nuk është një koncesion, por një zotim i marrë lirshëm. Dhe vetë fillimi nuk e paragjykon rezultatin.”
Ai përsëriti se nuk bëhet fjalë se kush duhet të veprojë i pari.
“Siç e thashë, nuk bëhet fjalë që Kosova të bëjë hapin e parë. Të dyja palët duhet të veprojnë – pa parakushte dhe me mirëbesim. I kam bërë të qarta pritshmëritë e BE-së para çdo bashkëbiseduesi në Prishtinë, ashtu siç kam bërë edhe në Beograd: në çdo nivel, në mënyrë të qëndrueshme dhe pa ambiguitet. I takon Kryeministrit ta shprehë publikisht qëndrimin e tij; unë nuk do ta bëj këtë në vend të tij. Ajo që mund të them është kjo: detyrimi është i evidentuar, është i kuptuar dhe mbetet i papërmbushur.”
Duke komentuar retorikën mes palëve, Sorensen tha se gjuha nxitëse nuk ka vend në Evropë.
“Më lejoni të përsëris atë që BE-ja ka thënë zyrtarisht: në Evropë nuk ka vend për retorikë që mbron, arsyeton apo relativizon spastrimin etnik. Deklarata të tilla fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit. Ato janë të papajtueshme me rrugëtimin evropian. Ato bien ndesh me detyrimet e marra vullnetarisht në këtë Dialog. Kjo vlen për gjuhën nxitëse, pavarësisht se nga cila palë vjen ajo. Fjalët e këtij lloji nuk janë pa kosto. Çmimin e tyre e paguajnë ata që duhet të jetojnë krah për krah me njëri-tjetrin shumë kohë pasi deklaratat të jenë harruar.”
Për mundësinë e mbajtjes së një takimi të ri të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ai u shpreh:
“Një takim i nivelit të lartë nuk është shpërblim dhe as mundësi për fotografi. Ai thirret kur mund të ndihmojë në arritjen e ndonjë rezultati – qoftë i madh apo i vogël. Përfaqësuesja e Lartë ka qenë e qartë: ajo është e gatshme ta thërrasë atë kur rrethanat ta lejojnë dhe kur të dy liderët të jenë të gatshëm për të sjellë rezultate konkrete. Nuk do të caktoj një datë për këtë. Të dyja palët e dinë saktësisht se çfarë nevojitet për të arritur aty.”/Lajmi.net/