Sopi: Turp për kombin shqiptar, akoma pa ndërtesë teatri

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës, është një ndërtesë e amortizuar e cila ka qenë një shtëpi kulture që është ndërtuar nga partizanët. Shqiptarët konsiderohen si kombi i vetëm që nuk kanë teatër profesionist dhe kjo gjë duhet të llogaritët si turp për të gjithë.

ShowBiz

07/01/2020 14:59

Kështu tha në një intervistë për KosovaPress, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, i cili ka theksuar se viti që lëmë pas ishte vit me defekte për teatrin, derisa druan se edhe në këtë vit do të përcillen ato probleme.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi, tha se kanë përmbyllur vitin që shkoi me shumë sfida dhe probleme për teatrin, si nga ana financiare, ashtu edhe nga objekti ku zhvillohen shfaqjet. Sipas tij, çdo vit janë ndarë fonde nga Ministria e Kulturës për renovimin e teatrit por një gjë e tillë nuk kanë ndodhur asnjëherë.

“Ka pasur vazhdimisht premtime nga ana e Ministrisë së Kulturës, madje janë ndarë në vite me radhë shuma të caktuara për renovimin e teatrit, por nuk kanë ndodhur ato renovime asnjëherë fatkeqësisht. Ndërtesa jonë është një ndërtesë e amortizuar, kjo ka qenë një shtëpi kulture që e kanë ndërtuar partizanët, nuk është ndërtesë teatri, është adoptuar si ndërtesë teatri. Kjo ndoshta është një turp apo fatkeqësi për gjithë kombin shqiptar, se ne këndej e andej kufirit as në Shqipëri, as në Kosovë për 100 e sa vite shtet dhe për 20 vite shtet të Kosovës gjegjësisht liri, ne nuk kemi arrit të paktën të ndërtojmë një ndërtesë të teatrit, ne jemi kombi i vetëm që nuk kemi teatër profesionist, ne funksionojmë nëpër ndërtesa të adaptuara”, tha Sopi për KosovaPress.

Pavarësisht objektit teatral dhe mungesës së mjeteve financiare, Sopi tha se në aspektin e realizimit të projekteve nuk kanë qenë edhe aq keq. Sipas tij, dy premiera kanë qenë shumë të suksesshme me të cilat krenohen “Sfinga e xhallë”, me autor Rexhep Qosjen dhe “Shfaqja e fundit nga Maria Xhoni” me autor Veton Surroin.

“Në aspektin e realizimit programor, kemi realizuar të gjitha projektet sa kemi pas mundësi dhe buxhet, niveli estetik ka qenë më shumë i kënaqshëm, të paktën mund të krenohemi me dy premiera shumë të suksesshme, me shfaqjen “Sfinga e xhallë”, me autor Rexhep Qosjen e regjisoren Blerta Neziraj dhe “Shfaqja e fundit nga Maria Gjoni” me autor, Veton Surroin dhe regjisorin e njohur hungarez Andras Urban. Këto janë dy projekte që kanë qenë pjesë edhe një eventi teatror që është mbajtur në Kosovë, “Kosova Shoë Kayse”, në të cilin event kanë qenë të ftuar shumë njerëz, të komunitetit ndërkombëtar teatror, kritik të teatrit, programor të festivaleve, të cilët kanë qenë shumë të kënaqur me produktet e teatrit ndërkombëtar nga të cilët presim, tani veç i kemi ftesat e para, presim edhe ftesa tjera që të jemi pjesë të eventeve të ndryshme ndërkombëtare me shfaqjet tona”, tha Sopi

Sa i përket numrit të shikuesve, Sopi tha se këtë vit presin të kenë një numër më të madhe të shikuesve, sepse vitin që po lëmë pas ishte vit me defekte për teatrin.

Sopi shprehet i shqetësuar që këto probleme do ta shoqërojnë teatrin edhe në vitin 2020. E vetmja shpresë për të është qeveria e re dhe pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës, ka premtuar që do të ndërtojë një objekt të ri teatri.

“Druaj se do të përcillen, do të trashëgohen këto probleme. Shpresoj në qeverinë Kurti do t’i mbaj premtimet paraelektorale, është fol për ndërtimin e një Teatri Kombëtar, ky do të ishte një ‘siariq’ i mirë për Kosovën të them të drejtën, nëse arrin që ky teatër të ndërtohet në katërvjeçarin e ardhshëm dhe atë ndërtesë të re që do ta kemi, shpresojë që komuniteti do të dijë ta vlerësojë dhe do të di ta mbush me përmbajtje, do të dijë të krijoj identitet shpirtëror në atë ndërtesë”, u shpreh Sopi.