Solidariteti i Përgjegjshëm i Europës

Zgjidhja nuk mund të jetë thjesht një diskutim mbi direktiva e rregulla të reja. Duhet një qasja e re. Kjo arrihet vetëm nëse ne tërhiqemi nga reflekset tona kombëtare.

Opinion

05/10/2013 07:29

Viti i ardhshëm do të jetë kyç për Bashkimin Europian. Qytetarët e BE’së do të zgjedhin Parlamentin e ri Europian, i cili më pastaj do të votojë për presidentin e ri të Komisionit Europian. Do të ketë një president të ri të Këshillit Europian dhe poashtu një përfaqësues të ri të lartë për politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Ky ndryshim i personelit më të lartë të BE’së paraqet një mundësi ideale për të debatuar mbi qëndrimet e Europës, dhe për të krijuar një bashkësi më stabile, të integruar, dhe të begatshme – një të bazuar mbi solidaritetin, ndërvarësinë, dhe interesin shtetëror më të ndritshëm.

Gjatë viteve të fundit, Europa ka bërë progres të jashtëzakonshëm në përgjigjën e saj ndaj krizës. Por, e ardhmja e Bashkësisë Ekonomike dhe Monetare të Europës (EMU) varët nga tre komponente kyçe: përafrimi më i madh ekonomik, hapja më e madhe përbrenda tregut të vetëm, dhe aftësia më e madhe ripërtëritëse ndaj goditjeve asimetrike. Arritja e këtyre synimeve nuk varët nga diskutimet (e mëtutjeshme) teknike, por nga krijimi e një konsensusi të ri politik në saj të një qasjeje më mbikombëtare.

Së pari, përafrimi më i madh ekonomik në mesin e EMU’së kërkon një kornizë më të fuqishme për të bashkërenduar politikat ekonomike të shteteve anëtare. Më të vërtet, Semestri i ri Europian – raundi vjetor i BE’së për këshillime mbi politika dhe mbikëqyrje të shteteve anëtare – është një ndër përparimet kryesore që u bën për t’ju përgjigjur kësaj krize.

Ky sistem pasqyron parimin që “politikat e ekonomisë janë çështje të interesit të përbashkët”. Ekziston tashmë një propozim për të vazhduar ex ante bashkërendimin për reforma kryesore ekonomike dhe për të paraqitur një formë të ujdive kontraktuale të detyrueshme në mes të institucioneve të BE’së dhe shteteve anëtare, e cila do të siguronte që mund të prodhohen reformat që u nevojitën Europës.

Por, këto reforma janë shpeshherë komplekse dhe të vështira për t’u zbatuar. Disa kërkojnë investime financiare të cilat nuk janë të mundshme në një periudhë të strukjes financiare, dhe disa bëjnë kërkesa që shkojnë përtej durimit të votuesve. Përderisa qytetarët e BE’së janë të gatshëm për të pranuar sakrificat e nevojshme për t’i rishpikur ekonomitë e tyre, ata duhet të shohin ndonjë përfitim mbi horizontin.

Prandaj, nëse ne marrim seriozisht nevojën për të mbështetur reformën strukturore në shtetet anëtare, mbikëqyrjes më të madhe dhe bashkërendimit të politikave duhet t’ju bashkohet një sistem të stimulimeve financiare të kufizuara dhe të targetuara. Këto stimulime mund të zgjërojnë gamën e opsioneve për shtetet që po vuajnë në konsolidimin fiskal dhe mund t’i japin sinjal publikut Europian që BE’ja është partnere e shteteve të tyre, për t’i mbështetur në përpjekjet për reforma.

Së dyti, një EMU’je më të mirë i duhet një treg i vetëm i vërtetë, i cili është mjeti më i mire i Europës për të kthyër rritjen dhe për të rregulluar pabarazitë e brendshme. Por, deri më tash, progresi drejt zhdukjes së barriereve të mbetura të tregtisë ka qenë i ngadalshëm, dhe shënjat e nacionalizmit ekonomik në rritje janë duke u përhapur në gjithë kontinentin.

Deri më tani, ne kemi liberalizuar tregjet kombëtare mbi supozimin se kompanitë private do të bashkoheshin dhe të integroheshin përtej kufijve. Por, kjo ka rezultuar vetëm në një lëmsh të tregjeve të ndërlidhura kombëtare, në vend të një tregu të vetëm të vërtetë, dhe kjo është një arsyeje pse BE’së i mungojnë industritë që kanë një shtrirje më të vërtet kontinentale. Për shembull, BE’ja ka afërsisht 100 operatorë në sektorin e telekomit; SHBA’të kanë vetëm pesë, ndërsa Kina ka vetëm tre.

Zgjidhja nuk mund të jetë thjesht një diskutim mbi direktiva e rregulla të reja. Duhet një qasja e re. Vetëm nëse ne tërhiqemi nga reflekset tona kombëtare do të kemi mundësinë që të lëvizim tregun e vetëm në një fazë të re të zhvillimit.

Së fundmi, një EMU më e mire do të duhej të kishte aftësi më të madhe ripërtëritëse ndaj goditjeve asimetrike. Në rastin ideal kjo kërkon një formë të ndarjes së rizikut dhe të solidaritetit financiar. Këtu, BE’ja nuk po fillon nga hiçi; hapa të rëndësishme u morën gjatë krizës. Mjeti i Stabilitetit Financiar Europian, Mekanizmi i Stabilitetit Europian, dhe skema e “transaksioneve plotësisht monetarë” e Bankës Qendrore Europiane—të gjitha këto janë forma të sigurimit kolektiv.

Por, çdo lëvizjeje për solidaritetit më të madh financiar në mesin e shteteve anëtare është përballur me kundërshtime dhe ka shpier në një ndarje në rritje në mes të shteteve huadhënëse dhe atyre huamarrëse. Solidariteti në Europë nuk mund të kuptohet si një obligim moral të disave për të ndihmuar disa të tjerë; thjesht nuk ka ndienje të komunitetit në EMU’në e tashmë e cila do të mund të mbështeste transferët e përhershme fiskale nga një rajon në tjetrin. Por, kjo nuk do të thotë se Europa duhet të tërhiqet nga kërkimi i mënyrave më të mira për t’i bashkuar forcat. Solidariteti mund të interpretohet gjithashtu si interes shtetëror i ndritshëm, një formë e reciprocitetit nga e cila rrjedhimisht përfitojnë të gjithë – pa transfere të përhershme.

Shikuar nga ky këndvështrim, ka mundësi që të krijohet një kapacitet fiskal për EMU’në, së paku fillimisht, që do të mund të ofronte stimulime financiare për zbatimin e reformave kryesore në nivelin kombëtar, e që do të mund të zgjeroheshin më pastaj për funksione të tjera stabilizuese dhe ndoshta për dhënien e letrave me vlerë për të mbështetur investime produktive publike në nivelin e BE’së. Me kalimin e kohës një kapacitet i tillë fiskal do të bazohej në parimin e neutralitetit buxhetor.

Arkitektura e vjetur e EMU’së dhe themelët e saj politike janë luhatur. Ne duhet të ndërtojmë një godinë ekonomike përmbi themeleve të reja politike. Një qasje e pastër ndërqeveritare nuk do të funksionojë. Zgjidhje të përbashkëta Europiane janë të nevojshme, edhe pse ato kërkojnë vullnetin e shteteve anëtare për të dorëzuar një shkallë më të madhe të sovranitetit të tyre.

Kjo mund të jetë e ndërlikuar, duke pasur parasysh pakënaqësinë e përgjithshme me Europën sot. Por, ofrimi i një përspektive të qartë të një BE’je më të mirë dhe më të drejtë është mënyra më e mirë për të mobilizuar opinionin publik dhe për t’ju kundërvyer forcave politike anti-Europiane para zgjedhjeve për Parlamentin Europian vitin e ardhshëm.

 (Përktheu D.G.) 

Enrico Letta është Kryeministër i Italisë.

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate 2013,
 www.project-syndicate.org. lajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.)