Sokol Haliti nuk e sakrifikoi menaxherin e prokurimit për tenderin dy milionësh, tërhiqet nga vendimi i kundërligjshëm

Komuna e Vitisë është tërhequr nga vendimi që konzerciumin “Pro &Co Group” SHKP  -“Eskavatori”, ta shpallë fitues në mënyrë të kundërligjshme për tenderin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaqanik – Faza e II”.

Lajme

17/02/2021 13:23

Organi Shqyrtues i Prokurimit ose siç njihet ndryshe “Gjykata e tenderëve” e kishte urdhëruar Komunën e Vitisë që këtë tender ta anulojë në tërësi ngase ka gjetur shkelje të shumta gjatë hartimit të dosjes së tenderit, shkruan lajmi.net.

Komuna nuk deshi që të zbatojë këtë vendim, shpalli fitues kompaninë e që është e afërt me njerëzit e LDK-së, “Pro &Co Group”.

Por, pasi komuna mësoi që Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik- KRPP, është duke shqyrtuar aneksen e OSHP-së që t’i tërheqë licenca menaxherit të prokurimit komunal, e anuloi procedurën e prokurimit.

Ani pse, komuna vendosi që të respektojë këtë vendim, KRPP-ja e ka në shqyrtim kërkesën për marrje të licencës.

“KRPP ka pranuar nga OSHP një Kërkesë për Revokim të Certifikatës së prokurimit të Menaxherit të Prokurimit të Komunës së Vitisë, z. Fadil Abazi. KRPP ka formuar Komisionin për shqyrtim të Kërkesës së OSHP-së. Tani, rasti është në proces të shqyrtimit. Pas përfundimit të procesit, do t’iu informojmë lidhur me vendimin që do të merret”, thuhet në një përgjigje të KRPP për lajmi.net

Ndërsa, më 9 shkurt, Komuna e Vitisë ka ngarkuar në E-prokurim, njoftimin mbi anulimin e procedurës tenderuese.

“Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit; Bazuar në rekomandimin e Zyrës ligjore sipas Vendimit të OSHP-së, nr.1031/20”, thuhet në vendimin e anulimit të procedurës së prokurimit.

Komuna e Vitisë, njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit e ka publikuar në sistemin E-prokurimi më datë 02 tetor 2020.

Para se të shpallej fituesi, disa kompani janë ankuar në Komunë se në dosjen e tenderit janë vendosur kritere diskriminuese. Komuna ua ka hedhur poshtë pretendimet, ndërsa ka bërë korrigjimin e disa kritereve dhe dosjen e ka ngarkuar në e-prokurim. Duke qenë të pa kënaqura me korrigjimet e Komunës, kompanitë janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje në kriteret e vendosura dhe ka nxjerr vendim më 16.11.2020, ku e obligonte Komunën që të bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit.

Komuna e respektoi këtë vendim dhe bëri disa ndryshime në dosjen e tenderit, por jo ashtu siç e udhëzoi OSHP-ja.

Hapja e tenderëve është bërë më 30 nëntor. Më datën 03 dhjetor 2020, Komuna ka njoftua për shpalljen e fituesit si dhe ka njoftuar kompanitë për arsyet e eliminimit. Fitues është shpallur kompania “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”. Oferta e tyre ishte 1. 989. 808, 29 euro. Pati oferta edhe më të lira, por ato u vlerësuan si të pa përgjegjshme nga ana e prokurimit komunal.

Më këtë vendim nuk u pajtuan disa kompani, pasi konstatuan se komuna nuk kishte bërë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit siç kishte udhëzuar OSHP-ja, për më tepër kishte përzgjedhur edhe një kompani që nuk i plotësonte kërkesat dhe se disa prej kritereve i ishin përshtatur kompanisë fituese.

OSHP-ja për të dytën herë shoshiti kërkesat e tyre dhe më datë 28.12.2020, nxori vendim ku e urdhëronte komunën të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe të anulojë krejt aktivitetin e prokurimit, duke thënë se “nëse autoriteti kontraktues ka interes për këtë aktivitet të prokurimit ta ritenderojë konform dispozitave të LPP-së”.

OSHP-ja gjeti se Komuna përsëri përdori kritere diskriminuese ndaj kompanive, ose kritere favorizuese ndaj një kompanie.

“Paneli shqyrtues sqaron se për këtë aktivitet të prokurimit ka nxjerr vendim PSH. Nr.793 -807/20 me datën 16.11.2020, ku është obliguar AK që të bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit dhe të veprojë konform nenit 53.7 të LPP-së, si dhe në këtë vendim është konstatuar që sipas nenit 26.4 të RUUPP-së së “Gjatë përcaktimit të kërkesave minimale për kualifikim AK do t’i kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit të OE-ve dhe do të formulojë kërkesat minimale të kualifikimit në mënyrë që nuk përjashton OE të themeluara rishtazi të cilat posedojnë aftësi të arsyeshme dhe të mjaftueshme ekonomike, financiare dhe ose teknike”. Pra Paneli Shqyrtues sqaron së në vendimin e cekur si më lartë është obliguar AK që të plotësojë –ndryshojë kërkesat në dosjen e tenderit dhe pas këtyre ndryshimeve të vazhdojë me aktivitetin e prokurimit. Kurse, AK në kundërshtim me këtë vendim ka vazhduar me vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e tenderëve”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Pra, Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, konstatimeve dhe rekomandimeve të ekspertit të vetë shqyrtues, si dhe konstatimeve të vendimit paraprak PSH.nr. 793 -807/20, ka ardhur në përfundim se Komuna nuk ka zbatuar udhëzimet e dhëna në vendimin paraprak.

Zyra e prokurimit të Komunës së Vitisë, vendosi të respektojë vendimin e OSHP-së. Me datë 14. Janar 2021 nxori vendim që e anulonte krejt procedurën e prokurimit.

Por, jashtë çdo procedure ligjore, me datën 27 janar 2021, Prokurimit komunal ngarkoi në e-prokurim një dokumentin i cili thotë se: “Komuna e Vitisë, pas ankesës se një kompanie dhe Vendimit, nr 01/2021, shpërblen me kontratë, Pro& Co Group; Company Eskavatori në vlerë totale 1, 989. 808, 29 euro”.

Në vendimin e dytë OSHP-ja nuk kishte lenë mundësi anekseje, kishte rekomanduar palët që nëse ankesa t’i drejtohen Gjykatës Themelore -Departamentit për çështje admistrative. Por, një kompani u ankua në Komunë duke mos u pajtuar me anulimin e aktivitetit të prokurimit. Komuna nuk e hodhi poshtë menjëherë ankesën, por vendosi që tenderin ta kthejë në rivlersim, ani pse kishte bërë njoftim për anulim të aktivitetit të prokurimit, konfom udhëzimit të OSHP-së. Rrezoi pretendimet e kompanisë ankuese dhe shpalli përsëri fitues kompaninë “Pro& Co Group”.

Më këtë rast, autoriteti kontraktues bëri dy shkelje: Nuk respektoi vendimin e OSHP-së. Dhe tentoi që ta anulojë/ta shpallë të pa vlefshme vendimin e OSHP-së.

Lajmi.net ka raportuar deri në këtë zhvillim për këtë rast.

Më pas komuna duke vepruar në frikë se mund t’i tërhiqet licenca menaxherit të prokurimit vendosi të anulojë përsëri procedurën e prokurimit./Lajmi.net/