“Softuer me vlerë mbi 460 mijë euro nuk figuron në sistemin përkatës të menaxhimit financiar” – Auditimi zbulon parregullsi në regjistrimin e pasurive publike
Raporti i auditimit ka evidentuar mangësi në regjistrimin dhe klasifikimin e pasurive jo-financiare në disa institucione publike, duke ndikuar në paraqitjen e saktë të tyre në pasqyrat financiare. Sipas auditorëve, gjatë shqyrtimit të regjistrave të pasurive është konstatuar se disa pasuri kapitale nuk janë regjistruar në sistemet përkatëse, ndërsa të tjera janë evidentuar gabimisht ose…
Lajme
Raporti i auditimit ka evidentuar mangësi në regjistrimin dhe klasifikimin e pasurive jo-financiare në disa institucione publike, duke ndikuar në paraqitjen e saktë të tyre në pasqyrat financiare.
Sipas auditorëve, gjatë shqyrtimit të regjistrave të pasurive është konstatuar se disa pasuri kapitale nuk janë regjistruar në sistemet përkatëse, ndërsa të tjera janë evidentuar gabimisht ose janë regjistruar dy herë, raporton lajmi.net
Kjo ka rezultuar në nënvlerësim dhe mbivlerësim të vlerës së pasurive në institucione të ndryshme.
Ndër rastet e identifikuara përfshihet një softuer me vlerë mbi 460 mijë euro që nuk ishte regjistruar në sistemin përkatës të menaxhimit financiar, si dhe pasuri të tjera që, sipas natyrës së tyre, duhej të ishin klasifikuar si pasuri kapitale por nuk figuronin në regjistra. Në një rast tjetër, pasuri me vlerë më të ulët ishin regjistruar njëkohësisht në dy sisteme të ndryshme, duke krijuar pasaktësi në evidencë.

Auditorët vlerësojnë se këto probleme kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të pamjaftueshme të brendshme, mungesës së koordinimit ndërmjet njësive përgjegjëse dhe planifikimit jo të duhur të investimeve kapitale.
Sipas raportit, mungesa e regjistrave të plotë dhe të saktë kufizon mundësinë e menaxhimit efektiv të pasurive publike dhe ndikon drejtpërdrejt në saktësinë e pasqyrave financiare. Si rezultat, disa pasuri janë paraqitur me vlera jo reale, duke cenuar besueshmërinë e raportimit financiar.
Për të adresuar këto mangësi, auditorët kanë rekomanduar forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe sigurimin që çdo pasuri e blerë të regjistrohet, klasifikohet dhe paraqitet saktë në pasqyrat financiare të institucionit. Gjithashtu është kërkuar rritja e koordinimit ndërmjet zyrtarëve përgjegjës për menaxhimin e pasurive dhe sektorëve financiarë, në mënyrë që të shmangen gabime të ngjashme në të ardhmen./Lajmi.net/