Sllovenia ofroi aeroplan privat, Haradinaj refuzoi
Autoritetet sllovene ia kanë ofruar Ramush Haradinajt një aeroplan privat për të u kthyer në Kosovë, ndërsa ky i fundit ka refuzuar një gjë të tillë, duke preferuar të udhëtojë nëpërmjet aeroportit Rinas të Tiranës.
Lajme
Burime të RTV Dukagjinit, kanë bërë të ditur se Lubjana zyrtare ia ka ofruar Haradinajt një aeroplan privat për tu kthyer në Kosovë
“Ne i kemi ofruar mundësin që t’ia sigurojmë kthimin në Kosovë përmes një linje të veçantë, por Haradinaj ka qenë këmbëngulës dhe ka refuzuar një gjë të tillë”, ka treguar burimi.
Haradinaj, pas 48 orë qëndrimi në Slloveni për shkak të një fletarresti serb të vitit 2004, është lënë i lirë ta lëshojë këtë shtet. Por, e gjitha kjo, sipas Gjykatë në Kranj, ka ndodhur vetëm pas dorëzimit të notës verbale nga Ambasada e Kosovës në Lubjanë në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë.
Me këtë notë është kërkuar që Haradinajt t’i kthehet pasaporta. Në notë thuhet se Haradinaj – ish udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash lider i AAK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili ka qenë kryeministër në vitin 2004-2005 – kthehej nga një mision special diplomatik jashtë vendit.