S’kreu punë as liberalizimi i vizave, brenda 11 muajve nga shtetësia e Kosovës hoqën dorë mbi 1 mijë e 200 persona

Viti që po lëmë pas do të mbahet mend edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë i cili është realizuar gjatë muajit prill dhe gjysmës së muajit maj. Nga ky regjistrim i popullsisë, ka dal se numri i saktë i shtetasve të Kosovës është  1 milion e 586 mijë e 659 duke mos përfshirë serbët…

Lajme

02/01/2025 09:39

Viti që po lëmë pas do të mbahet mend edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë i cili është realizuar gjatë muajit prill dhe gjysmës së muajit maj. Nga ky regjistrim i popullsisë, ka dal se numri i saktë i shtetasve të Kosovës është  1 milion e 586 mijë e 659 duke mos përfshirë serbët në veri të cilët e kanë bojkotuar shumë këtë proces.

Në bazë të këtyre të dhënave vërehet se që nga regjistrimi i fundit i cili ishte realizuar në vitin 2011 numri i popullsisë ka rënë pasi që atë kohë banorë rezident në Kosovë ishin plot 1 milion e 739 mijë e 825 sosh.

Në Kosovë tashmë raportohet për rënie të popullsisë në mbi 100 mijë qytetarë.

Në rënien e numrit të popullsisë ka ndikuar migrimi i qytetarëve jashtë Kosovës për arsye të ndryshme dhe përmes mundësive të ndryshme.

Si në shumë vite të shkuara, kosovarët zgjidhje të problemeve të shumta ekonomike e gjetën duke dalë jashtë vendit. Disa prej të rinjve shkuan për studime, të tjerë për punë e shumë çifte u kurorëzuan e vazhduan jetesën diku në shtetet e Evropës apo botës së gjerë.

Madje nëse shikohet i gjithë territori, Kosova në fakt nuk u braktis vetëm nga të rinjtë. Pati edhe shumë kryefamiljarë e më të moshuar që ikën jashtë vendit për punë e pagë më të mirë dhe më të dinjitetshme.

E gjithë këto ndikuan edhe në rënien e numrit të atyre që marrin shtetësinë e Kosovës, derisa i lartë ishte numri i qytetarëve që hoqën dorë nga kjo shtetësi.

Vetëm gjatë 11 muajve të vitit 2024 nga shtetësia e Kosovës kanë hequr dorë plotë 1 mijë e 291 persona, ndërsa në të njëjtën periudhe atë e kanë fituar për herë të parë gjithsej 550 tani më shtetas kosovarë.

Kjo është bërë e ditur për lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Numër i madh ka qenë edhe i atyre që janë “penduar” që kanë hequr dorë nga shtetësia. Prandaj atyre iu është dhënë edhe një tjetër mundësi ku vetëm brenda 11 muajve të vitit 2024 kanë ri-fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës 885 qytetarë.

Numri i qytetarëve të huaj që jetojnë dhe ushtrojnë veprimtaritë e tyre në Kosovë nuk është i vogël, prandaj për ta realizuar këtë atyre iu është dashur që të pajisen me lejeqëndrime.

Kërkesat për lejeqëndrim në Kosovë janë të shpeshta e me shumë arsye. Disa me kontratë pune, disa përgjatë studimeve, disa për shkak të lidhjes së martesës e deri tek lindja e fëmijëve.

Gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2024 me lejeqëndrime të Kosovës janë pajisur gjithsej 7 mijë e 253 qytetarë të huaj.

Këto lejeqëndrime janë valide 1 vjet, duke përjashtuar këtu shtetasit e Shqipërisë të cilëve shteti i Kosovës ua lehtësoi procedurat dhe kësisoj lejeqëndrimi i tyre merret një herë dhe vlen për 5 vite. Por këtu s’janë përfshirë shqiptarët nga Lugina e Medvegja. Këta të fundit duhet të marrin lejeqëndrime çdo 1 vit, ku kërkohen dokumente të shumta e pagesa gjithashtu.

Procedurat e tejzgjatura e shpesh herë të mundimshme kanë ndikuar që shumë shpesh këta të fundit të heqin dorë nga aplikimi e procedurat e parapara me ligj.

E sa i përket renditjes së pasaportave nga e gjithë bota, Kosova nuk është se pati renditje të mirë- Shkak këtu edhe liberalizmi i vizave që u bë shumë vonë për shtetasit kosovarë./Lajmi.net/