S’kemi mbetur të na qajë Avni Kastrati

Sadri Ferati porosit PDK’në që të presë të shihet puna e tij, pastaj të vlerësojë. Thotë se koalicioni LDK’së me AKR’në në Mitrovicë do të sjellë ndryshime të mira. Ai ndjehet i befasuar personalisht nga Avni Kastrati për kritikat ndaj qeverisjes aktuale.

Lajme

19/01/2014 19:00

Kryetari i Degës së LDK’së në Mitrovicë, Sadri Ferati, ka reaguar ndaj akuzave të PDK’së, të bëra ndaj tij dhe partisë së tij, një ditë më parë.

Avni Kastrati i PDK’së doli në një konferencë për media dhe bëri përgjegjës Sadri Feratin dhe LDK’në për “keqqeverisjen e Agim Bahtirit”.

Në një prononcim për lajmi.net, Ferati, partia e të cilit është në koalicion me AKR’në në Mitrovicën e Jugut, shprehet se është e kundërta e deklarimeve të ish Kryetarit të Mitrovicës.

“Unë vlerësoj se koalicioni është në interes të qytetarëve. Jam shumë i bindur që qytetarët shumë shpejt do t’i shohin ndryshimet e mira që do të ndodhin dhe ndërprerjen e degradimit që ka ndodhur në Mitrovicë”.

“Unë jam çuditur pse ai është marrë me atë se sa janë përmbushur marrëveshjet mes anëtarëve të koalicionit… A na ka përmbushur neve LDK’së Agimi a s’na ka përmbushur… Ai u mor me punë tona.”

“Ne, brenda koalicionit, nuk kemi mbetur të na qajë Avni Kastrati, a jemi ne duke i realizuar marrëveshjet brenda koalicionit apo jo. E fjala ishte në raport me Drejtorinë”.

Ferati thotë të jetë befasuar nga fjalët e Avni Kastratit, ndërsa shprehet se e kupton humbjen e PDK’së dhe vështirësitë pas saj, por përfundimisht pohon se fjalët e Kastratit e kanë befasuar.

Sipas tij, është dashur të lihet pak kohë,  për të vlerësuar punën e tij, e jo menjëherë të “kualifikohet e shpifet.”

“Jam befasuar. Mund ta kuptoj që humbja nuk është e lehtë, por më ka befasuar qasja që ka pasur Avni Kastrati, posaçërisht që posa të zgjidhet një strukturë duhet t’i jepet kohë për të punuar, mos të rritet presioni”.

“Është dashur të lihet një kohë që të shihet, e jo tash menjëherë të fillohet me kualifikime e shpifje. Porosia ime është: Pritni, le të duket puna, pastaj vlerësoni”, ka thënë Sadri Ferati për lajmi.net.