Skandaloze | Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu kërkon zyrtarisht përjashtimin e kryeprokurorit Njazi Rexha nga rasti në Mitrovicë të Jugut
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sllahu ka kërkuar zyrtarisht që Kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Njazi Rexha të përjashtohet nga rasti ku po hetohet për manipulim të votave. Ai këtë e ka bërë publike në postimin e tij në Facebook, ku ka treguar se i ka dërguar shkresë u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim…
Lajme
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sllahu ka kërkuar zyrtarisht që Kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Njazi Rexha të përjashtohet nga rasti ku po hetohet për manipulim të votave.
Ai këtë e ka bërë publike në postimin e tij në Facebook, ku ka treguar se i ka dërguar shkresë u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, transmeton lajmi.net.
Postimi i plotë:
Posa e nisa shkresën drejtuar U.D Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, nga i cili kam kërkuar që në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë z. Njazi Rexha, të ndërmerrën këto masa:
1. Të përjashtoni zyrtarin në fjalë, Kryeprokurorin Rexha, nga trajtimi i mëtutjeshëm i rastit, për shkak të ekzistimit të konfliktit të interesit, në përputhje me Nenin 19 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/l -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjithashtu, vlerësoj që përjashtimi i Prokurorit të rastit, ka bazë edhe në Nenin 43 të Kodit të Procedurës Penale NR. 08/L-032, meqë ekzistimi i konfliktit të interesit është një nga bazat e cekura në Kod për këtë përjashtim;
2. Të nxjerrni vendim me shkrim për të marrë nën juridiksionin tuaj këtë rast, me qellim të zhvillimit efikas të procedurës si dhe për arsye të shmangies së konfliktit të interesit nga Zyrtari i lartpërmendur. (në përputhje me Nenin 20, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit); dhe,
3. Të shqyrtoni ankesën për shkeljen disiplinore të përmendur në këtë shkresë nga Kryeprokurori Rexha dhe të kërkoni nga Këshilli Prokurorial i Kosovës fillimin e hetimeve disiplinore në përputhje me Nenin 12 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/L–057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe të ndërmerren hetimet e nevojshme për konstatimin lidhur me përgjegjësinë penale të zyrtarit në fjalë nga Neni 417 i Kodit Penal të Kosovës nr. 06/L-074./lajmi.net/