Skandali në shkollën “ISP” ku mësuesja incizoi nxënësin 6-vjeçar duke prekur organin gjenital-flasin nga organet e hetuesisë, nga shkolla bien në heshtje

Një rast i rëndë i cili ka tronditur mbarë opininonin publik dhe sistemin arsimor ka ndodhur në shkollën private ISP, në lagjen Marigona të fshatit Preoc. Një mësuese e klasës së parë me inicialet N.S., dyshohet se ka kryer një akt të rëndë, duke incizuar me telefon privat nxënësin e saj 6-vjeçar, duke e detyruar…

Lajme

10/06/2025 17:01

Një rast i rëndë i cili ka tronditur mbarë opininonin publik dhe sistemin arsimor ka ndodhur në shkollën private ISP, në lagjen Marigona të fshatit Preoc.

Një mësuese e klasës së parë me inicialet N.S., dyshohet se ka kryer një akt të rëndë, duke incizuar me telefon privat nxënësin e saj 6-vjeçar, duke e detyruar që të bëjë veprime të pahijshme ndaj vetes, konkretisht duke e shtyrë të prekë organin gjenital.

Ky rast raportohet të ketë ndodhur më 30 maj 2025, rreth orës 10:00, mësuesja e cila do të duhej qe këtë veprim të mos e lejonte të ndodhte, ua kishte dërguar edhe prindërve të fëmijës, të cilët menjëherë pas rastit janë paraqitur në stacionin policor.

Lidhur me këtë nga Policia e Kosovës kanë thënë se pasi janë intervistuar palët, më datë 9 qershor 2025 është marrë vendim zyrtar që ndaj mësueses të hapet rast penal për veprën penale “Degradimi i integritetit seksual”, ndonëse përballet me një akuzë kaq të rëndë dhe skandaloze, e njëjta është liruar në procedurë të rregullt.

“Lidhur me rastin, më 09.06.2025 me urdhër të prokurorit është inicuar rast ndaj të dyshuarës femër kosovare. Pas intervistimit e njëjta është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Për këtë ngjarje të paprecedentë për lajmi.net, kanë dhënë përgjigje edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës por të cilët nuk dhanë detaje për shkak se viktima është i mitur.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se për këtë çështje nuk mund të shpalosim informacione sepse bëhet fjalë për viktimën i cili është i  mitur, andaj rastet për të mitur janë të mbyllura dhe konfidenciale”,theksohet në përgjigje.

Lajmi.net, ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga shkolla ISP, por zyrtarja nga administrata e cila është lajmëruar në telefon, ka thënë se “për momentin askush nuk është prezent i cili do të mund të prononcohej, nuk di çfarë përgjigje me ta dhanë”, thotë ajo.

Mësohet se me këtë rast tashmë  janë përfshirë edhe njësitë e hetimeve për të mitur, ndërsa procedura penale është në zhvillim.

Po ashtu lajmi.net, ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ministria e arsimit se a kanë qenë të informuar lidhur me rastin por se deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje..

Ndryshe ky rast tronditës në Kosovë, duhet të ngrejë alarmin për sigurinë e fëmijëve në institucionet arsimore dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve më të larta për drejtësi dhe mbrojtje të fëmijëve. /Lajmi.net/