Skandali i Topit të Artë: Ish-shefi i France Football zbulon tentativën për ryshfet

Pascal Ferre, ish-kryeredaktor i France Football dhe një nga figurat kryesore pas organizimit të Topit të Artë, ka zbuluar se gjatë kohës së tij në detyrë ishte përballur me një tentativë për të ndikuar në procesin e votimit për çmimin prestigjioz. Në një intervistë për gazetën spanjolle Marca, Ferre tregoi se një agjent i kishte…

Sport

08/10/2026 13:14

Pascal Ferre, ish-kryeredaktor i France Football dhe një nga figurat kryesore pas organizimit të Topit të Artë, ka zbuluar se gjatë kohës së tij në detyrë ishte përballur me një tentativë për të ndikuar në procesin e votimit për çmimin prestigjioz.

Në një intervistë për gazetën spanjolle Marca, Ferre tregoi se një agjent i kishte ofruar një ryshfet në lidhje me kandidaturën e një prej lojtarëve të nominuar për Topin e Artë.

“Po, është e vërtetë. Një agjent donte të takohej me mua. Lojtari i tij, sigurisht, ishte i nominuar. Pasi më shpjegoi meritat e tij dhe e lavdëroi, më pyeti nëse mund ta, po e vendos në thonjëza – ‘shisja’ kandidaturën e tij te juria”, rrëfeu Ferre.

Ish-kryeredaktori i France Football, i cili e mbajti këtë post për rreth 30 vjet, tha se e refuzoi ofertën dhe nuk pranoi të ndërhynte në procesin e votimit.

“Pastaj më duhej të largohesha për pak nga tavolina për t’iu përgjigjur një telefonate. Kur u ktheva, agjenti ishte zhdukur”.

“Megjithatë, mbi tavolinë kishte një zarf. E mora dhe e dorëzova në recepsion. Nuk e di se çfarë kishte brenda”, deklaroi ai.

Ferre nuk tregoi se në cilin vit kishte ndodhur kjo tentativë dhe as nuk zbuloi identitetin e agjentit apo futbollistit të përfshirë.

Rrëfimi i tij rikthen në vëmendje prapaskenat e procesit të përzgjedhjes për një prej çmimeve më prestigjioze në futbollin botëror, ndërsa mbetet e panjohur nëse zarfi përmbante para apo diçka tjetër.