Skandal tenderi i Prishtinës për ndërtimin e strehimores së qenve endacak në “xhungël”
Qentë endacak në Prishtinë kanë nisur të kthehen në një problem serioz. Disa raste të kafshimeve janë regjistruar në muajin e fundit. Komuna e Prishtinës po mëton që të zgjidh problemin e tyre me ndërtimin e një strehimoreje për ta.

Lajme
Në janar të këtij viti, Komuna e Prishtinës lidhi kontratë për “Ndërtimin e strehimores për qenët endacak dhe trajtimin e tyre”. Por, para pak ditësh, ose pas dhjetë muajve, komuna u detyrua të ndërpresë kontratën me kompaninë “Ridvan Elezi B.I”, shkruan lajmi.net.
Arsyeja e ndërprerjes së kontratës ka qenë ngase komuna nuk ka arritur të ofrojë infrastrukturë rrugore për të shkuar tek strehimorja në një kodër në afërsi të Badovcit. Po ashtu, komuna nuk ka arritur të sigurojë as uji dhe rrymë. Për më tepër, këto specifika (mungesën e ujit, rrymës dhe ujit) nuk i kishte cekuar as kur kishin garuar kompanitë për këtë projekt.
Madje, komuna kishte lidhur kontratë pa lëshuar leje të ndërtimit dhe leje mjedisore nga ministria e Ambientit.
“Pas konstatimit nga Menaxheri i Kontratës se Operatori Ekonomik pas dërgimit të njoftimit më datë 03.09.2020, i cili ka theksuar se “pas vizitës në teren dhe në vendin ku është planifikuar ndërtimi i objektit mungon infrastruktura komplet përfshirë rruga shumë e dëmtuar, mungesë e rrjetit të ujësjellësit, mungesë e rrjetit elektrik ku nuk janë të përfshirë në projekt. Gjithashtu përveç kësaj nuk ka pasur leje ndërtimore, ku me datë 02.09.2020, është konfirmuar leja për fillimin e punimeve pra diku nëntë muaj pas nënshkrimit të kontratës dhe si rezultat i përhapjes së pandemisë kemi mungesë të stafit duke filluar nga menaxheri i projektit dhe disa punëtor që janë larguar nga puna dhe si rezultat i kësaj është e pamundur të fillojnë punimet dhe të përfundon projekti”. Palët pas konstatimeve të tyre, me ç’rast operatori “RIDVAN ELEZI” B.I. deklaron se nuk mund të përfundoj punimet për shkak të pengesave administrative, juridike dhe asaj të shfaqjes së pandemisë (COVID 19), palët u dakorduan që të ndërpritet Kontrata”, thuhet në njoftimin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimi.
Lajmi.net ka biseduar edhe me Ridvan Elezi, pronar i kompanisë “Ridvan Elezi B.I”. Ai tha se lokacioni për ndërtimin e strehimores ka qenë në një vende të thellë kodrinor pa asnjë lloj të infrastrukturës.
“Tenderin e kemi fituar në nëntor apo dhjetor nuk po më kujtohet, por na kanë shtyrë deri në janar nënshkrimin e kontratës. Disa muaj nuk na kanë njoftuar hiç për të dal në vizitë në punishte. Projektin nuk e di kush e ka bërë, por fillimisht nuk e ka ditur askush se ku është saktë lokacioni. Pra, nuk e kemi ditur se ku duhet të ndërtojmë. Kjo pasi nuk është cekur fare në njoftimin për kontratë as në kontratë se ku është lokacioni. Problemi tjetër është se aty nuk e kanë cekur se nuk ka kurrfarë infrastrukture, as rrugë, as rrymë, as uji. Lokacioni është diku kah Badovci, në një pjesë si në xhungël, po të më thoni sot të shkoj atje, nuk di të shkoj. Veç e di se liqeni shihet nga kodra”, tha Elezi për lajmi.net.
“Pastaj i pyeta komunën se a ka leje të ndërtimit për fillimin e punëve. Thanë jo, as leje urbanistike e as të mjedisore, pastaj u thash se nuk mund të ndërtoj pa leje. Ata nisën procedurën e lejes, diku nga prilli, që kanë zgjatë deri tani. Më thirrën, më than se leje është gati pas dy javësh, por unë u thash se nuk mund të ndërtoj aty se mungon infrastruktura. Më pas kemi rënë dakord që me marrëveshje të ndërpresim kontratën”, shtoi tutje Elezi.
Para tri ditësh, komuna e Prishtinës ka bërë njoftim të ri për kontratë për ndërtimin e strehimores, ku janë ndarë 15 mijë euro. Por, as këtë herë nuk është cekur se ku është lokacioni, apo nëse mungon infrastruktura.
Aty thuhet se “Duke marr parasysh nevojën urgjente për strehimin e qenve endacak si dhe trajtimin e tyre për shkak se kemi te bëjmë me një rrezik të përgjithshëm të sigurisë për qytetarët e lagjeve të kryeqytetit nga qentë endacak, si rrjedhojë është e nevojshme shkurtimi i afatit. Po ashtu është siguruar edhe leja e ndërtimit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me çka të gjitha parakushtet janë plotësuar për ndërtim emergjent për strehim të qenve endacak”.
Lajmi.net ka provuar të bisedojë me Komunën e Prishtinës lidhur më atë se a është siguruar infrastruktura për këtë projekt, por askush nga autoritete përgjegjëse nuk është përgjigjur. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/