Skamjes ekstreme iu shtua edhe djegia e shtëpisë

"Para dy ditësh, shtëpinë ku ishim duke jetuar me qira e ka përfshirë një zjarr i madh. Zjarri vërtet ishte i tmerrshëm. Fatmirësisht të gjithë kemi shpëtuar pa lëndime, por shtëpia është bërë shkrumb e hi", fliste Gëzim Keqa, të shtunën, dhe ishte në hall të madh,shkruan sot Gazeta Kosova Sot.

Lajme

03/07/2016 08:48

Kosovarët, aktualisht, janë duke e jetuar një jetë të kontrasteve shumë të mëdha. Në një distancë prej vetëm qindra metrash, ata kanë rast të ballafaqohen me mungesën e kushteve elementare për jetë, por edhe me luksin e tepruar të shprehur në shtëpi apo makina luksoze.

Për fat të keq, këta të dytët, numerikisht janë fare pak, bile, në krahasim me ata të parët të cilët përballen me probleme të mëdha dhe të përditshme, numri i tyre mund të thuhet se është gati i papërfillshëm.

Nga veprimtaria e përditshme dhe takimet e shpeshta me struktura të ndryshme të njerëzve, kemi rast të takohemi me hallexhinj që nuk kanë asgjë pas shpirtit.

Nuk kanë kulm mbi kokë, nuk kanë gati kurrfarë të ardhurash, nuk ia dalin të sigurojnë as kafshatën e gojës ashti siç duhet, e të mos flasim për veshmbathje, të cilën kryesisht e sigurojnë nga të falurat e bamirësve. Kuptohet, të gjithë ata ankohen. Bile nga fjalët e tyre, shpesh fitohet përshtypja se më keq se ai nuk i ka askush punët. Kjo është e kuptueshme, pasi nuk thuhet rastësisht se “halli im është më i rëndi”! Kështu thotë edhe Gëzim Keqa, kreu u familjes, e cila që nga përfundimi i luftës, nga fshati Bërdosanë ka ardhur të jetoi në Gjakovë.

Beteja me zjarrin zgjati 6 orë Aktualisht, kjo familje ishte e vendosur në paralagjen e qytetit të Gjakovës, në Dardani (ish Piskota). Anëtarët e kësaj familjeje gjatë tërë kësaj kohe të 17 viteve të pasluftës janë përballur me probleme të shumta, me varfëri ekstreme, dhe ç’është më së keqi pa kulm mbi kokë, kështu që kanë qenë të detyruar të jetojnë me qira duke ndërruar shtëpi “orë e qas”! Tash e një vit e gjysmë ishin duke jetuar në një shtëpi në këtë pjesë të qytetit, kuptohet duke paguar qira, por fati nuk i la rehat! “Para dy ditësh, shtëpinë ku ishim duke jetuar me qira e ka përfshi një zjarr i madh. Zjarri vërtet ishte i tmerrshëm. Fatmirësisht të gjithë kemi shpëtuar pa lëndime, por shtëpia është bërë shkrumb e hi”, fliste të premten Gëzim Keqa, duke dhënë me kuptua se ai dhe familja e tij janë në hall të madh. Siç thotë Gëzimi, por që e pohojnë edhe fqinjët, brigada e zjarrfikësve shumë shpejt ka ardhur në vendin e ngjarjes, por zjarri ishte i furishëm kështu që aksioni për shuarjen e zjarrit ka zgjatur gati 6 orë, por megjithatë shtëpia nuk mundi të shpëtoi.

“Jam i bindur se zjarri është shkaktuar nga rrjeti elektrik. Edhe më parë kemi pasur probleme me rrjet, prandaj e kemi njoftuar KEDS-in 5-6 herë por nuk kanë ardhur me intervenuar. Tash, siç po e shihni ka ardhur një ekip nga KEDS-i për ta vlerësuar se prej nga ka shpërthyer zjarri, por tash është vonë, pasi shtëpia i bë shkrumb e hi. Në momentin e shpërthimit të zjarrin nuk kemi pasur të ndezur as zjarr as plin (gaz) kështu që nuk ka pasur mundësi që zjarri të shpërthej nga ndonjë arsye tjetër pos nga rrjeti elektrik. Në këtë shtëpi jemi me qira, kurse tash kemi probleme të dyfishta. Me pronarin e shtëpisë mund të kemi telashe e telashe edhe më të madhe kemi me atë se nuk e dimë se ku do të vendosemi. Jemi as në tokë e as në qiell”, fliste Gëzimi.

auto_tyh1467528016