S’ka vend si shtëpia e prindërve për të rinjtë kosovarë
Për qejf a për zor, shumica e të rriturve kosovarë jetojnë me prindërit. Nëse dikush e sheh këtë si prapambetje, i ngjashëm është trendi edhe në disa vende të Perëndimit. Në Shtetet e Bashkuara, të dhënat e Byrosë së Regjistrimit për vitin 2024 tregojnë se përafërsisht 1 në 3 të rritur amerikanë të moshës 18…
Lajme
Për qejf a për zor, shumica e të rriturve kosovarë jetojnë me prindërit.
Nëse dikush e sheh këtë si prapambetje, i ngjashëm është trendi edhe në disa vende të Perëndimit.
Në Shtetet e Bashkuara, të dhënat e Byrosë së Regjistrimit për vitin 2024 tregojnë se përafërsisht 1 në 3 të rritur amerikanë të moshës 18 deri në 34 vjeç, jeton në shtëpinë e prindërve.
Në Kroaci, për shembull, janë shtatë të rinj në dhjetë që zgjedhin shtëpinë e prindërve.
Për sociologun Artan Krasniqi, familja është një aspekt jashtëzakonisht i rëndësishëm i jetesës në Kosovë.
“Jemi shumë të lidhur”.
“Unë nuk mund të paramendoj të jetoj vetëm”, thotë Genita Rafuna.
“Ne jemi familje e madhe – dy prindërit dhe gjashtë fëmijë. Jam shumë-shumë e lidhur me ta”, thotë 23-vjeçarja nga Prishtina.
Genita, aktualisht, është studente në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Thotë se nuk ka pronë të veten, por edhe sikur të kishte, nuk do të jetonte vetëm.
“Unë jam mësuar në një ambient me shumë njerëz, me atmosferë, zhurmë e të qeshura në familje”, shprehet ajo.
Këtë ndjesi ndan edhe Faton Rexhepi. Tregon se i ka 37 vjet, punon në sektorin privat dhe jeton nën një çati me prindërit, vëllezërit e motrat.
Ky “mentalitet bashkëjetese”, siç e quan ai, “është krejt normal”.
“E ndiej veten rehat. Dua të kujdesem edhe për prindërit, sepse janë në moshë të shtyrë dhe kanë nevojë”, thotë Fatoni.
Ndryshe prej tij, Namon Muçiqi, 28 vjeç, do të donte të jetonte vetëm, por nuk i ka kushtet ekonomike.
Thotë se paga që merr nga puna në sektorin privat, nuk i mundëson të paguajë qiranë e një banese.
“Kështu që jetoj me prindërit. Është më lirë. Faturat për shërbime paguhen për të gjithë anëtarët. Ushqimi përgatitet për të gjithë. Ky stil i jetës është më i lirë”, sipas tij.
Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë se faktori i parë që i lë të rinjtë e rritur në shtëpitë e prindërve, është ai kulturor.
Sipas tij, vajzat e kanë edhe më të vështirë të vendosin të jetojnë vetëm pa u martuar, kryesisht për shkak të mentalitetit patriarkal.
Krasniqi thotë se një faktor tjetër që i kontribuon dukurisë, është edhe ai ekonomik.
“Sikur të kishin mirëqenie, punë të sigurt, banim me kosto të përballueshme, me siguri se do të rritej numri i atyre që do të donin të jetonin vetëm”, thotë ai.
Shkalla e papunësisë te të rinjtë në Kosovë është gati 20 për qind.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për vitin 2023, mbi 62 mijë është numri i të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç që llogariten fuqi punëtore, kurse mbi 52 mijë prej tyre janë të punësuar.
Qiratë e banesave në Prishtinë sillen nga rreth 200 euro e lart, varësisht madhësisë, kushteve që i ofron dhe lokacionit ku ndodhet.
Marrë parasysh këto shifra dhe pagën mesatare në vend prej rreth 570 eurosh, profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, thotë se në Kosovë nuk është krijuar standard i tillë ekonomik që të rinjtë të jetojnë të pavarur.
“Të jetuarit bashkë është më lehtë dhe më lirë”, thotë ai, duke shtuar se institucionet duhet të krijojnë mundësi, që çmimet e pronave për banim të jenë më të përballueshme.