“S’ka shitje”, shalqiri e speci po u mbeten në ara fermerëve në Rahovec, kërkohet ndërhyrje urgjente

Prodhimet bujqësore këtë vit janë bereqetshme, por jo edhe shitja e tyre. Për këtë Avdi Krasniqi nga Malësia e Vogël e Rahovecit, thekson se puna e tij e përditshme në bujqësi po rrezikon të përfundoj me humbje, pasi një pjesë e shalqirit ka mbetur pa u shitur. Ai ankohet se ky produkt bujqësor tashmë po…

Lajme

17/08/2026 20:59

Prodhimet bujqësore këtë vit janë bereqetshme, por jo edhe shitja e tyre.

Për këtë Avdi Krasniqi nga Malësia e Vogël e Rahovecit, thekson se puna e tij e përditshme në bujqësi po rrezikon të përfundoj me humbje, pasi një pjesë e shalqirit ka mbetur pa u shitur.

Ai ankohet se ky produkt bujqësor tashmë po prishet si pasojë e mungesës së tregut për shitje.

Përveç kësaj, fermeri Krasniqi po përballet me pasiguri edhe për shitjen e specit.

Fermeri me mbi 30 vjet përvojë në bujqësi thotë se, ndonëse rendimenti dhe cilësia janë të mira, çmimet e ulëta dhe vështirësitë në shitje po ia zbehin krejt fitimin e këtij sezoni.

“Jam fermer si shumë fermerë të tjerë të fshatit Malësi e Vogël. Edhe unë e kam të njëjtin problem, mirëpo s’po flasim personalisht për veti, po për të gjithë bujqit e Malësisë së Vogël, mirëpo edhe për rrethinën, megjithëse jemi të komunës… Tash me fol për të gjitha kulturat, tash sa i përket bereqetit, bereqeti është bërë, mirëpo le që s’ka çmim, është tu prish në ara, s’ka shitje. Kemi tash rastin e shalqirit, le që s’ka çmim, ai është duke u prish i gjithi nëpër ara. Kemi specat, pikat grumbulluese, ndoshta her shkon në 0.60 centë, vjen në 40 centë, 30 cent. E bllokon krejt kështu që bujqit nuk dinë as çka, qysh, as tek”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, çmimi i shalqirit ka rënë në tetë deri në dhjetë centë për kilogram, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e prodhimit ka mbetur pa u shitur.

Krasniqi tregon se familja e tij dhe të afërmit kultivojnë shalqi dhe speca në sipërfaqe prej rreth 50 arësh për secilën kulturë, derisa një pjesë e madhe e prodhimit tashmë ka mbetur në ara.

Ai paralajmëron se probleme të ngjashme mund të paraqiten edhe me specat, për shkak të vështirësive që kanë pikat grumbulluese për ta marrë prodhimin.

“Personalisht nuk kam sipërfaqe të mëdha. Mirëpo ka vëllau, ka djemtë e axhës, bashkëfshatarë të tjerë, shokë që kanë… Me shalqi i kemi diku nja 50 ari, po edhe me speca qashtu, të gjitha rreth 50 ari. Mirëpo shitja është tetë cent, 10 cent edhe është në ara e mbetur, do të thotë krejt hiç pa u shitur. S’ka, nuk ka ndonjë zgjidhje, nuk është që ta bën dikush me gisht, ose shteti ose dikush ndërmerr diçka që me i bë një farë zgjidhje…Gjysma, ashtu kështu po, gjysma ka mbetur. Shalqiri u prish, ajo nëpër ara, nuk ka as me desht me e shit veç ka përfunduar. Temperatura, rrezja e madhe… Për speca tash është fillimi, edhe për speca jemi duke shtyrë, mos sot ndoshta nesër, për punë të vjeljes, se pikat shitëse, pikat grumbulluese janë në rrezik. Edhe qata çka janë duke i marrë, s’kanë asnjë farë zgjidhje, se bereqeti është, sivjet është i madh, edhe kualiteti është shumë i mirë, mirëpo shitja është zero. Zero”, thotë ai për KosovaPress.

Duke folur për shkaqet e kësaj gjendjeje, Krasniqi kërkon angazhim më të madh institucional, duke thënë se komunat kanë mundësi të kufizuara pa mbështetje nga niveli qendror.

“Këtu po jetojmë në Kosovë, e dimë ne çdo njeri, po e bën si politikë këtë punë. Shteti është bllokadë, komuna mundohet me bë diçka, si programe, si para kësaj kohe si tash në këtë kohë, po shembull i ka bë disa pjesë-pjesë. Komuna s’ka buxhet, derisa qeveria s’interesohet, atëherë çka?”, shprehet Krasniqi.

Krasniqi thotë se vetëm ai ka investuar rreth shtatë deri në tetë mijë euro, ndërsa në kushtet aktuale nuk pret fitim nga prodhimi.

“Jo në humbje, por jemi në probleme qëa kemi me pasur vështirësi shumë vite për me e marrë veten…Unë p.sh., deri në 7 apo 8 mijë euro i kam investuar, vëllai andej,… s’po flas veç personalisht…Për fitim, zero, s’pritet asnjë zero. Më e madhja, domethënë shaliqiri e këto po prishen aty në ara”, rrëfen ai.

Përveç perimeve, fermerët këtë verë janë sfiduar edhe me shitjen e grurit, për shkak të çmimit të ulët.