S’ka raste me Ebola në Kosovë, IKSHPK-ja publikohen rekomandime për udhëtarët që vijnë nga Kongo dhe Uganda

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar me virusin Ebola dhe se aktualisht nuk ka dëshmi për transmetim lokal të sëmundjes. Sipas IKSHPK-së, rreziku për popullatën e Kosovës mbetet shumë i ulët, megjithatë qytetarëve që udhëtojnë ose kthehen nga Republika Demokratike e…

Lajme

03/06/2026 17:11

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar me virusin Ebola dhe se aktualisht nuk ka dëshmi për transmetim lokal të sëmundjes.

Sipas IKSHPK-së, rreziku për popullatën e Kosovës mbetet shumë i ulët, megjithatë qytetarëve që udhëtojnë ose kthehen nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda u është bërë thirrje të respektojnë masat parandaluese.

Instituti rekomandon që udhëtarët të informohen paraprakisht për situatën epidemiologjike në vendet ku udhëtojnë, të shmangin kontaktin me gjakun dhe lëngjet trupore të personave të infektuar, të mbajnë higjienë të rregullt të duarve, si dhe të shmangin kontaktin me kafshët e egra dhe konsumimin e mishit të tyre.

Po ashtu, këshillohet shmangia e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe e vizitave në shpella, miniera apo vende ku jetojnë lakuriqët e natës.

Për personat që kthehen nga zonat e prekura, IKSHPK kërkon monitorimin e gjendjes shëndetësore për 21 ditë, periudhë që konsiderohet inkubacioni maksimal i sëmundjes. Simptomat kryesore përfshijnë temperaturë, lodhje të rëndë, dhimbje koke dhe muskulore, të vjella, barkqitje si dhe gjakderdhje apo shenja të tjera hemorragjike.

Në rast të shfaqjes së simptomave, qytetarët duhet të shmangin kontaktin me persona të tjerë, të kontaktojnë menjëherë shërbimet shëndetësore dhe të informojnë për historinë e udhëtimit.

Sipas të dhënave të publikuara, nga fillimi i majit deri më 1 qershor 2026 në Republikën Demokratike të Kongos janë raportuar 321 raste të konfirmuara me Ebola, përfshirë 48 vdekje, si dhe 116 raste të dyshuara. Në Ugandë janë konfirmuar 15 raste, ndërsa një person ka humbur jetën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur situatën emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik, ndërsa Qendra Afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve e ka cilësuar atë emergjencë kontinentale.

IKSHPK rikujton se Ebola është një sëmundje virale e rëndë që transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun ose lëngjet trupore të personave apo kafshëve të infektuara. Virusi nuk transmetohet përmes ajrit, kontakteve të zakonshme me persona pa simptoma, ushqimit të zakonshëm apo mushkonjave.

Instituti thekson se zbatimi i masave të higjienës dhe kontrollit të infeksionit ul ndjeshëm rrezikun e transmetimit, ndërsa aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik për Ebolën e shkaktuar nga virusi Bundibugyo.