“S’ka mizori e dinakëri” – Shokon avokati i Vllasaliut, kundër burgimit të përjetshëm për krimin ndaj Rexhepit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Lidhur me këtë vendim, ka folur avokati i Jeton Vllasaliut, Ndrecë Dodaj, i cili tha se brenda afatit ligjor do të ushtrojë ankesë nëse do të vazhdojë të…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Lidhur me këtë vendim, ka folur avokati i Jeton Vllasaliut, Ndrecë Dodaj, i cili tha se brenda afatit ligjor do të ushtrojë ankesë nëse do të vazhdojë të jetë përfaqësues i palës dhe u shpreh i sigurt se ky vendim do të anulohet.
Dy vëllezërit u shpallën fajtorë pasi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.
Por, për avokatin Dodaj, krimi i rëndë nuk u krye në bashkërkryerje, madje tha se nuk ka as mizore e as dinakëri – përkundër që gjykata në vendimin e nxjerrë gjykoi se vrasja u planifikua dhe ishte Jeton Vllasaliu, ai që “në mënyrë tinzare duke e ngulfatur e privon nga jeta B.R…”.
Ai tha se ka dilemat e veta për autorët e kësaj vepre penale dhe akuzën dhe klienti i tij është kryesi.
“Mendoj se ky vendim është shumë i kundërshtueshëm. Si mbrojtës, kam dilemat e mia se a kemi të bëjmë me kryes të vërtetë apo jo, pastaj edhe nën supozimin se Jeton Vllasaliu është kryes duke u bazuar në provat që janë administruar, në asnjë mënyrë nuk kemi të bëjmë me vepër penale sipas cilësimit juridik, pra për mua nuk ka bashkëkryerje, nuk ka mizori dhe dinakëri”, u shpreh avokati Dodaj për Klankosova.tv.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë
Sipas vendimit të gjykatës, të akuzuarit prej periudhës 09 janar 2021 deri me 08 prill 2021, në bashkëkryerjeje pas një marrëveshje paraprake kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të viktimën, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.
“Ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet, ashtu që J.V. duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari, tani i ndjeri B.R. e kishte ndaj tij, e kishte vënë në lajthitje të njëjtin, e që duke filluar nga 09 janar 2021 ku i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMË X3”, për vlerën prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro).
Gjatë realizimit të planit të tyre, i pandehuri J.V., me datë 08 prill 2021 të dëmtuarin B.R. e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit N.V. ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij. I pandehuri J.V., pastaj në mënyrë tinzare duke e ngulfatur e privon nga jeta B.R, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro), siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave. Mirëpo, pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8000 € (tetë mijë euro) që i ka ndarë me të pandehurin N.V. , pastaj, kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjell kokën e tij, me qese të zezë të najlonit kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit N.V., dhe e kishte lidhur me një litar. Pastaj, veturën e të ndjerit B.R. të tipit “Jeep Grand Cherokee” e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë. Nga aty, i pandehuri J.V. i kishte telefonuar të pandehurit N.V. i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij, të tipit “Skoda Octavia”, mu në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin “Jeep Grand Cherokee”.
Në këtë mënyrë, Nexhat Vllasaliu akuzohet se kishte marrë pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes se veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar me herët.
“Të nesërmen herët ne mëngjes me 09 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerje e dërgojnë në vendin kodrinor malor të quajtur “Mali i Madh në Vllasali”, ky i pandehuri N.V. e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri me datë 30.09.2022, kur janë gjetur mbetjet mortore të dëmtuarit B.R.” – përfundon vendimi i gjykatës.
Ndryshe, me aktvendim të veçantë, të akuzuarve iu është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Reagimi i familjes pas dënimit për burgim të përjetshëm
Adnan Rexhepi, vëllai i Bedri Rexhepit, është deklaruar për Klankosova.tv. pas shpalljes së aktgjykimit ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu u dënuan me burgim të përjetshëm.
Këtë vendim, Rexhepi tha se kanë pritur me dhimbje, por që ka sjellë edhe një ndjenjë lehtësimi për familjen.
“E kemi pritur shumë mirë, me një lehtësim të madh në zemër. Kjo është pjesë lehtësuese për familjen tonë. Jemi shumë falënderues për institucionet shtetërore që kanë punuar në këtë rast”, deklaroi ai për Klankosova.tv
Ai komentoi edhe deklaratat e dy të akuzuarve që i kanë dhënë gjatë gjykimit, ku kanë folur fjalët më të mira për të ndjerin, duke e mohuar kategorikisht se kanë gisht në vrasjen e tij.
Adnan Rexhepi tha se vëllai i tij i ka ndihmuar edhe Jetonin edhe Nexhatin, por dolën që pikërisht ata ishin autorët e krimit.
“S’kanë pasur asgjë të keqe prej vëllait. Kanë pasur vetëm të mira prej tij. Dora që ndihmon, të vret. Edhe ata vetë, nën ndërgjegje, janë të vetëdijshëm për krimin që e kanë bërë.”