S’ka kredi të re për Greqinë, Brukseli nuk është amfiteatër i Athinës

Gjermania ka hedhur menjëherë poshtë kërkesën që sot Greqia ua dërgoi zyrtarisht anëtarëve të Eurozonës, e që ka të bëjë me zgjatjen edhe për gjashtë muaj të kredisë ndërkombëtare, në mënyrë që të shpëtoj nga një përkeqësim i mëtejmë ekonomik.

Bota

19/02/2015 14:39

Greqia dhe anëtarët e Eurozonës janë në mosmarrëveshje pasi aktualisht Greqia po kërkon një pako tjetër me kredi, ndërkohë që shtetet e euros, përpara shqyrtimit të kësaj kërkese, po kërkojnë që Athina të pajtohet të kthejë borxhin prej 240 miliardë dollarë dhe të zbatojë masa të reja shtrënguese.

Marrëveshja aktuale Greqi-BE skadon në fund të muajit shkurt dhe kjo kërkesë e Athinës llogaritet të jetë shansi i fundit.

Kërkesa e dërguar nga Athina do të shqyrtohet të premten nga ministrat e financave të Bashkimit evropian, porse shanset që ajo të miratohet janë të vogla, duke pasur parasysh lajmet që vijnë nga Berlini.

Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shable, ka thënë se kërkesa greke nuk ishte një propozim i duhur për të dalë nga situata e krijuar, dhe se ka të ngjarë të hedhet poshtë për shkak të joseriozitetit të palës greke.

Kërkesa për kredi të re vijon aps disa ditë negociatash mes ministrave të financave të Eurozonës me anëtarët e qeverisë së re greke të kryesuar nga partia Syriza, e cila kundërshton masat e reja shtrënguese për të nxjerrë shtetin nga kriza financiare, që prej vitesh po mbahet me kredi për të mos falimentuar.

Tabloidi popullor gjerman, Bild, ka edituar sot një foto të Vladimir Putinit dhe Aleksis Tsipras me titull: “Rus apo Grek? Kush është më i rrezikshëm për ne” me komentin se “Evropa është në krizën më të vështirë që prej dekadash të tëra, sepse këta dy liderë në mënyrë agresive janë duke demonstruar fuqinë e tyre”.

Një koment tjetër në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, thotë: “Qeveria greke duket se po beson se ajo mund të trajtojë partnerët e saj si budallenj”, duke e akuzuar Athinën për përdorimin e Brukselit si amfiteatër ku mund të shfaqet arti sipas dëshirave.