S’ka kontroll nga Qeveria, cilësia e dobët e naftës po dëmton shëndetin dhe veturat e qytetarëve

Sot, rrjeti i Organizatave jo-Qeveritare (AVONET) ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ku kanë protestuar kundër informalitetit dhe mungesës së kontrollit të cilësisë në tregun e brendshëm, veçanërisht në industrinë e naftës.

Lajme

23/02/2022 21:02

Në këtë aktivitet të AVONET ata kanë folur edhe rreth një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën ku theksohet informaliteti dhe mungesa e kontrollit të cilësisë në tregun e brendshëm e sidomos në industrinë e naftës, shkruan lajmi.net.

Nga AVONET thonë se përzierja dhe hollimi i naftës nga kompanitë po e rrit fitimin e tyre, por gjithashtu po dëmton shëndetin publik dhe veturat e secilit qytetar.

“Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollimin e naftës nga kompanitë që rrisin fitimin e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur koston e mirëmbajtjes së tyre.”, thanë nga AVONET.

Lidhur me këtë çështje, AVONET ka lëshuar edhe një komunikatë për media ku kanë thënë gjithashtu se qeveria po i favorizon naftëtarët dhe jo qytetarët e interesin publik.

Lajmi.net lidhur me këtë çështje pati raportuar edhe vitin e kaluar ku qytetarët patën shprehur indinjatën e tyre lidhur me cilësinë e naftës në Kosovë dhe problemet me të cilat përballen si pasojë e keqfunksionimit të këtij segmenti të industrisë.

YouTube player

Në komunikatën e AVONET gjithashtu flitet se Shoqata e Naftëtarëve dhe Qeveria e Kosovës janë në vijë të njëjtë sa i përket politikave të industrisë së naftës brenda Kosovës.

Lexoni të plotë komunikatën e AVONET: 

Kjo është komunikata e plotë:

Informaliteti dhe mungesa e kontrollit të qeverisë në tregun e brendshëm po ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës.

Informaliteti në industrinë e naftës në Kosovë është i përhapur, dhe qeveria duhet të ndërmarrë veprime për ta ndalur këtë fenomen.

Sipas raportit për Kosovën të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) informaliteti konsiderohet si një problem serioz dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për të kontrolluar tregun e brendshëm dhe për të siguruar cilësi, për të mbrojtur konsumatorin, si dhe kompanitë formale, të cilat edhe paguajnë taksa.

Raporti i FMN-së tregon se në Kosovë kemi një problem të veçantë me evazionin fiskal si rezultat i ekonomisë joformale dhe përmend mungesën e një Bordi funksional në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që nga marsi i vitit 2021.

Raporti i FMN-së tregon se qeveria duhet të zgjerojë bazën tatimore dhe të luftojë informalitetin. Nivelet e larta të informalitetit në Kosovë ndikojnë negativisht në konkurrencën e ndershme në treg, kushtet e punës dhe zhvillimin e kompanive, dhe kështu kufizohet rritja ekonomike. Sipas Bankës Botërore dhe BE-së, sektori joformal i Kosovës përfaqëson një të tretën e punësimit total në vend.

Informaliteti i lartë e dëmton bazën tatimore që kufizon buxhetin shtetëror për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën. Një fushë e veçantë ku informaliteti është i përhapur është industria e naftës dhe qeveria ende nuk ka marrë mdonjë hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në këtë sektor, që përfshin evazionin fiskal, si dhe hollimin dhe përzierjen e naftës. Problemet që ka Kosova me mungesën e kontrollit efektiv të cilësisë së naftës janë të dokumentuara mirë nga institucionet e Kosovës, gazetaria investigative dhe raportet ndërkombëtare.

Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë që të rrisin fitimet e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe po ashtu dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur kostot e mirëmbajtjes së tyre. Krahas kësaj, praktikat korurptive nga kompanitë e naftës dëmtojnë buxhetin publikë duke shmangur pagesën e taksave.

AVONET sot ka performuar kundër mungesës së kontrollit të cilësisë së naftës në Kosovë dhe kundër mosveprimit të qeverisë. Kjo qeveri po sillet si një aleate e industrisë së naftës kundër interesit publik. Kemi dëgjuar se si Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka qenë pjesë dhe ka mbështetur ligjet e nisura nga kjo qeveri në lidhje me naftën që është një indikator i fuqishëm se kjo qeveri po mbron interesat e naftëtarëve dhe jo të qytetarëve. /Lajmi.net/