Sivjet janë mbyllur 9 barnatore pa licencë
Inspektorati Farmaceutik i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM) ka inspektuar së fundmi subjektet farmaceutike në tërë territorin e vendit, duke kërkuar barnatore që veprimtarinë e tyre e kanë ushtruar në kundërshtim me ligjin.

Lajme
Zyrtarë të AKPM-së thonë se janë evidentuar parregullsi në subjektin farmaceutik dhe si rezultat janë mbyllur disa barnatore, të cilat nuk kanë pasur licencë për ushtrimin e veprimtarisë, si dhe nuk kanë pasur farmacistë.
Pranvera Behrami, zyrtare për informim në AKPM, tha për Radion Evropa e Lirë se barnatorja e fundit që është mbyllur është ajo në Podujevë më 5 gusht.
“Inspektorati farmaceutik, gjatë inspektimit të përditshëm të tij, hasi në disa shkelje ligjore në subjektin farmaceutik ‘Euro-Pharm’, në Podujevë. Meqë kjo barnatore, veprimtarinë e saj ishte duke e ushtruar në kundërshtim me kriteret që kërkohen në udhëzimin administrativ 14/2013, pa licencë profesionale të lëshuar nga AKPPM, në mungesë të farmacistit përgjegjës dhe me posedim të barnave me banderola të Serbisë, Inspektorati farmaceutik barnatores në fjalë ia ndaloi veprimtarinë e mëtejme, duke i konfiskuar të gjitha produktet me të drejtë dhe pa të drejtë qarkullimi”, bëri të ditur Behrami.
Ndërkaq, vetë farmacistët thonë se ata të cilët e ushtrojnë veprimtarinë duke e shkelur ligjin, i dëmtojnë farmacistët e licencuar.
“Barnatoret që operojnë pa licencë na dëmtojnë shumë neve si farmacistë. Ato barnatore që janë mbyllur është për shkak se nuk e kanë respektuar ligjin, ato kanë operuar edhe me barna që nuk janë të regjistruara në Kosovë. Këto janë të mjaftueshme që një barnatore të mbyllet”, thotë farmacisti Alban Desku.
Pranvera Behrami bëri të ditur se si rezultat i inspektimeve të bëra gjatë këtij viti, janë mbyllur nëntë barnatore të pa licencuara.
“Inspektorati farmaceutik dhe AKPPM bëjnë thirrje që të gjitha subjektet farmaceutike të veprojnë në bazë të legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës. Ndryshe do të konfiskohen. Sidoqoftë gjatë këtij viti ka mbyllur 9 barnatore, duke përfshirë edhe këtë të fundit në Podujevë”, tha ajo.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se është rritur numri i inspektorëve, në mënyrë që të luftohen dukuritë negative në fushën e farmaceutikës.