Situatë e rënduar- Gjilani në prag të skadimit të afatit ligjor për votim të buxhetit

Të martën e 25 shkurtit do të mbahet një tjetër seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit në përpjekje për të kaluar buxhetin e vitit 2025. Pas kësaj date mbeten vetëm edhe tri ditë të tjera para përfundimit të aftit ligjor që kjo punë të bëhet. Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, ka përsëritur…

Lajme

24/02/2025 13:24

Të martën e 25 shkurtit do të mbahet një tjetër seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit në përpjekje për të kaluar buxhetin e vitit 2025. Pas kësaj date mbeten vetëm edhe tri ditë të tjera para përfundimit të aftit ligjor që kjo punë të bëhet.

Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, ka përsëritur thirrjen drejtuar partive politike dhe kuvendarëve, që t’i japin votë buxhetit për këtë vit.

Sipas kryetarit të Gjilanit, ata janë në javën e fundit kur Kuvendi Komunal mund dhe duhet ta votoj buxhetin e qytetit.

Sipas tij, në takimin e fundit me partitë politike opozitare në Gjilan, i është kërkuar që i gjithë procesi i aprovimit të buxhetit të kthehet nga e para.

“Edhe pse ne kemi mbajtur dëgjimet buxhetore dhe kemi ndjekur çdo hapë ligjor për aprovimin e buxhetit, opozita nuk mori pjesë në asnjë dëgjim buxhetor dhe nuk dërgoi asnjë propozim të vetëm”, tha kryetari, Alban Hyseni.

I pari i Komunës së Gjilanit, thekson se më pas e kanë dërguar buxhetin drejt Kuvendit Komunal, por deri tani, pra në javën e fundit të afatit ligjor nuk është aprovuar buxheti i komunës tonë.

Sipas tij, është tepër vonë dhe jashtë çdo afati ligjor për dëgjime buxhetore apo procedura tjera.

“Prandaj me datën 25 shkurt, vetëm tri ditë para përfundimit të aftit ligjor do të thërrasim një seancë tjetër urgjente për aprovimin e buxhetit. U bëjë thirrje partive politike dhe të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal që të votojnë e aprovojnë buxhetin e qytetarëve të Gjilanit”, tha kryetari Hyseni.