Sistem unik arsimor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

20:22 | 3 Qershor 2014

Ministrat Nikolla dhe Buja pas nënshkrimit të marrëveshjes

Shqipëria e Kosova prej sot do të kenë një arsimim të unifikuar. Shkollat në të dy vendet  që nga muaji shtator do të mësojnë me të njëjtat tekste dhe me të njëjtin sistem shkollor.

 

Në Tiranë të martën u nënshkrua marrëveshja për kurrikulat mësimore parauniversitare midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dhe homologu i saj në detyrë, Ramë Buja, kanë firmosur këtë marrëveshje në një ceremoni të posaçme në selinë e Kryeministrisë, ku ishte i pranishëm dhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Sot u krye, ia dolëm të unifikojmë sistemin parauniversitar midis Kosovës dhe Shqipërisë, tha ministrja Nikolla, sipas së cilës kjo marrëveshje përbën një ditë historike dhe se nga shtatori i këtij viti do t’i jepet jetë kësaj marrëveshje.

Kurrrikula e re mundëson lëvizshmërinë, çka bën që një nxënës i Shqipërisë mund ë lëvizë në Kosovë për tu arsimuar pa asnjë problem dhe e kundërta. Kurrikula e ngjashme me atë të BE-së, do të lansohet në shtator në 12 qarqe të Shqipërisë, përfshirë qytetet dhe fshatrat. Nikolla tha se sistemi parauniveristar do të jetë i njëjtë si në Kosovë 5 +4+3, kurse nxënësit do të jenë më pak të ngarkuar, por shumë të përgatitur për tregun europian.

Ramë Buja e cilësoi këtë marrëveshje si më kuptimplote deri tash.

Edi Rama, ndërkaq, tha se ky është një gur themeli në rrugën e bashkimit të sistemit arsimor mes dy vendeve dhe do ta fusë këtë ditë në historinë e zhvillimit të arsimit shqiptar.

Më tej, Rama tha se kjo lëvizje nis në një kohë kur kambanat e alarmit po bien fort përsa i përket mësimit dhe përdorimit të shqipes.

“Dora e shkatërrimit ngriti edhe një valë hakmarrjeje të verbër ndaj gjuhës së njehsuar ku janë përzier gjithfarë gjysmëhamendjesh që duan të ripeshojmë me gjysmëdijet e tyre shkencore dhe gjysmëhijet e tyre politike, dy pjesët e trupit kaherë të bashkuar njëherë e mirë të gjuhës sonë”.