Siri, tre milionë refugjatë, gjashtë milionë të zhvendosur

Lufta civile në Siri, që filloi në mars të vitit 2011, i ka detyruar tre milionë njerëz të largohen nga ky vend, shifër rekorde, dhe e cila është për një milion njerëz më tepër se para një viti.

Bota

29/08/2014 13:38

Këto shifra i ka bërë të njohura të premten Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) me seli në Gjenevë, sipas të cilës mbi gjashtë milionë sirianë të tjerë, janë zhvendosur brenda kufijve të këtij vendi.

Komisionari Antonio Guterres është shprehur se kriza në Siri është shndërruar në “urgjencën më të madhe humanitare të periudhës sonë”, me pothuajse gjysmën e qytetarëve sirianë, që janë detyruar të largohet nga shtëpitë e veta për të shpëtuar jetën.

Kohë më parë OKB ka bërë të ditur se gjatë luftës civile trevjeçare në Siri, e cila filloi si kryengritje kundër regjimit të presidentit Bashar Al Assad dhe më pas degjeneroi në luftë klanesh dhe sektesh fetare Islame, janë vrarë mbi 190 mijë sirianë, shumica e tyre civilë.