Sirena dhe forca të shtuara policore në Zveçan, pritej të zëvendësoheshin zyrtarët e KQZ në veri

Dy shpërthime dhe të shtëna janë dëgjuar pasditen e sotme në veri të vendit. Ndërsa lokacioni i saktë ende nuk dihet. As nëse ka pasur ndonjë të lënduar. Kjo besohet se ka të bëjë me tentativat e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor për të mbërritur te zyrat e KQZ në komunat veriore të vendit. Burime…

Lajme

06/12/2022 15:39

Dy shpërthime dhe të shtëna janë dëgjuar pasditen e sotme në veri të vendit. Ndërsa lokacioni i saktë ende nuk dihet. As nëse ka pasur ndonjë të lënduar. Kjo besohet se ka të bëjë me tentativat e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor për të mbërritur te zyrat e KQZ në komunat veriore të vendit.

Burime të KosovaPress kanë bërë të ditur se në Zveçan është aktivizuar alarmi. Ndërsa janë forca të shtuara të EULEX-it pranë urës së Ibrit.

Policia e Kosovës së bashku me zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të katër komunave veriore, sot kanë shkuar në zyrat komunale.

Kjo ishte paralajmëruar në mbledhjen e së hënës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku u bë e ditur se ende nuk kanë pranuar plan operativ nga Policia e Kosovës.

“Jemi takuar me policinë dhe plani është që zyrtarët tanë së bashku me policinë të shkojnë nëpër zyrat tona komunale të veriut. Planin operacional për këtë aktivitet e bën policia së bashku me sekretariatin dhe mbetet të shihet se sa kemi pasur mundësi që të kemi qasje në zyrat tona dhe sa do të kemi qasje në vendvotime në veri edhe mbetet të shihet në ditëve në vijim”, deklaroi gjatë së së hënës kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Zyrat e KQZ në veri kanë qenë të mbyllura për shkak të sigurisë dhe dorëheqjeve të zyrtarëve serbë.

Funksionalizimi i komisioneve komunale zgjedhore është i domosdoshëm në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit pasi këto komisione kryejnë detyra të rëndësishme të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.