Sipas pozicionimit në sallë, ja kush është grupi më i madh parlamentar
Konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, po shkon drejtë finalizimit. Por, ende ka paqartësi në opinion rreth grupit më të madh parlamentar, pasi blloku opozitar po e pretendon këtë, duke u regjistruar në Kuvend si grup i përbashkët. Në anën tjetër duke u thirrur në rezultatin zyrtar të KQZ-së, PDK pretendon se asaj i takojnë privilegjet e grupit më të madh parlamentar.

Lajme
Ndërkaq pavarësisht pretendimeve të opozitës, dhe regjistrimit të deputetëve të saj në Kuvend në emër të koalicionit LDK-AAK-Nisma, sekretaria e Kuvendit, nuk po e merr parasysh këtë.
Një dokument i siguruar nga lajmi.net, tregon se sekretaria duke u bazuar në rezultatet e certifikuara në KQZ, i ka caktuar PDK-së, vendin ku zakonisht është i rezervuar për grupin më të madh parlamentar, e që janë ulëset e para të rendit të mesëm.
Ky fakt mund të jetë edhe një tregues i rëndësishëm, që pretendimi i opozitës, se atyre u takon pozita e kryetarit të Kuvendit, si grup më i madh parlamentar bazuar te regjistrimi në Kuvend, mund t’u shkojë huq.
Sekretaria e Kuvendit, ashtu siç ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese, po vendosë për grupin më të madh parlamentar, vetëm duke u bazuar te dokumentet zyrtare të KQZ-së.
E nga aty del, se pavarësisht që opozita ka numër më të madh të deputetëve, koalicioni i vetëm zyrtar është ai i PDK-së me partitë tjera, i regjistruar në KQZ para zgjedhjeve të 8 qershorit. (lajmi.net)