Sindikatat të pakënaqura me rritjen e pagave, paralajmërohen protesta
“Lëmosh” e “fushatë elektorale”, kështu po cilësohet rritja e pagave prej 55 eurove për punëtorët e sektorit publikë. Disa Federatat sindikale në vend shprehen të pakënaqura me këtë ngritje, të njëjtit vlerësojnë se kjo rritje është e pamjaftueshme. Derisa, një prej sindikatave më të mëdha në vend, ajo e shëndetësisë ka shprehur pakënaqësit e tyre…
Lajme
“Lëmosh” e “fushatë elektorale”, kështu po cilësohet rritja e pagave prej 55 eurove për punëtorët e sektorit publikë. Disa Federatat sindikale në vend shprehen të pakënaqura me këtë ngritje, të njëjtit vlerësojnë se kjo rritje është e pamjaftueshme. Derisa, një prej sindikatave më të mëdha në vend, ajo e shëndetësisë ka shprehur pakënaqësit e tyre me këtë rritje dhe paralajmëron grevë dhe protestë në ditët në vijim.
Ani se pagat e muajit janar u ekzekutuan me rritje prej 55 euro, SBASHK-u thotë se kjo qeveri do të ndëshkohet me votë në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt.
Sekretari i përgjithshëm i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës , Ymer Ymeri e quan nënçmuese rritjen prej 55 eurove bruto.
”Shuma bruto prej 55 eurove është një shumë nënçmuese duke pas parasysh rritjet e mëdha të çmimeve. Është një rritje nënçmuese, jo që kryen punë. Tregon që kjo qeveri nuk ka qenë aspak e interesuar për punëtorët që i shërbejnë vendit. Kjo shumë është asgjë…Këta punëtorë që qeveria nuk është kujdesur që katër vite, dhe i ka përbuzur, këta protestën do e bëjnë me 9 shkurt, ditën e votimit, do e ndëshkojnë këtë qeveri që ka pasur këtë sjellje”, thotë Ymeri.
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri derisa shprehet e pakënaqur me këtë rritje të pgave, ajo këtë e quan “lëmoshë”, pasi që sipas saj, nuk është se zgjidh ndonjë problem.
Imeri paralajmëron grevë dhe protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.
”Kur është bërë propozimi për rritje kemi qenë të pakënaqur, sepse nuk është rritje serioze. Kemi lyp rritje të vlerës së koeficientit dhe sidomos tek infermieret kemi lyp vlerën 2 (dy), me rrit koeficientin. Megjithatë, 55 euro i kemi quajtur lëmoshë, nuk është se na ka zgjidh problem. Është më shumë fushatë, nuk është bërë për t’i ndihmuar punëtorët… Patjetër protesta dhe greva kemi paralajmëruar që nuk do i ndalim deri të binden që punëtorët duhet tëtrajtohen mirë”, thekson Imeri.
Edhe, Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësave shprehet i pakënaqur me këtë rritje.
”Le që nuk jemi të kënaqur, e kanë ditë, e kemi thënë edhe më herët. Kemi deklaruar, nuk kemi qenë të kënaqur”, thotëBeka.
Derisa të diskriminuar nga kjo rritje janë punëtorët e sektorit privat, thotë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi. Madje, ai thotë se edhe paga minimale që e ka përcaktuar qeveria nuk është duke u zbatuar.
Sipas tij, nga pakënaqësitë për paga dhe të drejta për punë, 200 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën.
”Nuk kanë bërë asgjë. Realisht sot edhe pagën minimale që e ka përcaktuar Qeveria e Kosovës, nuk po zbatohet. Dhe ne sot ende kemi pagë minimale 264 euro bruto. Punëtorët e sektorit privat po punojnë me intensitet shumë më të madh, rrezikshmëria është e madhe, dhe kur është në pyetje ajo që po bëhet në sektorin publik, jo edhe në privat dhe këto janë ato shenja që një pjesë rreth 200 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën”, thotë Azemi.
Qeveria e Kosovës, pesë muaj më parë ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 bruto në muaj. Ky vendim sipas Qeverisë ka hyrë në fuqi më 1 tetor 2”24, derisa kryeministri Albin Kurti pati theksuar se nga ky vendim do të preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat.
Ekzekutivi vitin e kaluar kishte vendosur,që nga janar i këtij viti të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.
Shefi i ekzekutivit ishte shprehur se vlera e koeficientit mbetet 110 euro, mirëpo sipas tij do të rritet sasia e koeficienteve për një njësi.
Përveç kësaj me ligjin për buxhetin 2025 që është publikuar më 12 dhjetor 2024 në Gazetën Zyrtare pas miratimit në dy leximet në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në nenin 33 vendoset për të gjithë të punësuarit në sektorin publik rritje të pagave për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik 2025.