Sindikatat e punëtorëve të të gjitha kategorive mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të KEK-ut, të arsimit, të shëndetësisë, të minatorëve dhe të administratës publike, të cilët njëzëri e shprehën mbështetjen e tyre për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt, që do të…

Lajme

09/02/2026 14:37

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të KEK-ut, të arsimit, të shëndetësisë, të minatorëve dhe të administratës publike, të cilët njëzëri e shprehën mbështetjen e tyre për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt, që do të mbahet në Prishtinë

Në këtë takim, Hoxha dhe Tasholli i falënderuan sindikatat e punëtorëve për përkrahjen e ofruar, duke vlerësuar se angazhimi i tyre është dëshmi e fuqisë së bashkimit shoqëror për kauza të drejta.

Hoxha tha se kur punëtorët, pa dallim bashkohen me këtë kauzë, i japim më shumë jehonë kërkesës për drejtësi të paanshme dhe dinjitet.

“Kur flasim për sindikatat e punëtorëve, mesazhi merr një peshë të veçantë sepse ato përfaqësojnë zërin e mijëra punëtorëve nga sektorë të ndryshëm. Mbështetja e tyre për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt e kthen këtë nismë në një mobilizim gjithëpërfshirës qytetar”, shtoi ajo.

Ndërsa, Ismail Tasholli tha se Marshi i 17 shkurtit nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të parimeve themelore të drejtësisë.

“Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e drejtësisë dhe për mbrojtjen e të vërtetës së luftës çlirimtare të popullit tonë. Pjesëmarrja dhe mbështetja e sindikatave të punëtorëve i jep kësaj thirrjeje legjitimitet moral dhe shoqëror”, ka thënë Tasholli.

Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë, me qëllim të mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.