Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon zgjidhje urgjente për sigurimin e pagave

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë thirrje urgjente ndaj Menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së që të ndërmarrin menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pagave të punëtorëve, në mënyrë që ato të ekzekutohen brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor 2025. Në komunikatën e lëshuar, Sindikata thekson se është…

Lajme

30/10/2025 17:17

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë thirrje urgjente ndaj Menaxhmentit dhe Bordit të RTK-së që të ndërmarrin menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pagave të punëtorëve, në mënyrë që ato të ekzekutohen brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor 2025.

Në komunikatën e lëshuar, Sindikata thekson se është jetike të gjendet një zgjidhje financiare urgjente, qoftë përmes bashkëpunimit me bankat, hapjes së një overdrafti të përkohshëm apo ndonjë mekanizmi tjetër të mundshëm, për të mos lejuar që punëtorët të mbesin pa paga, transmeton lajmi.net.

SPERTK i ka bërë thirrje edhe Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë menjëherë, njësoj si në muajin gusht, kur kishte ndarë 2.5 milionë euro për të mundësuar funksionimin e RTK-së. Sipas Sindikatës, një ndërhyrje e tillë është thelbësore për të shmangur pasoja sociale dhe institucionale që mund të shkaktojë vonesa ose mungesa e pagave.

“Është shqetësuese dhe e papranueshme që mediumi i vetëm publik në Kosovë po lihet pa buxhet, duke rrezikuar programin, transmetimin dhe funksionimin e plotë të RTK-së, si dhe jetesën e mbi 700 familjeve që varen nga ky institucion,” thuhet në reagim.

Sindikata ka theksuar se në një kohë kur në gjithë vendin po flitet për rritje pagash, në RTK “jo vetëm që nuk ka pasur asnjë rritje, por mungon edhe buxheti për pagat aktuale.” Punëtorët, sipas Sindikatës, “nuk kërkojnë privilegje, por vetëm pagën që u takon ligjërisht dhe që duhet të ekzekutohet në kohë.”

SPERTK paralajmëron se nëse nuk merren masa të menjëhershme, do të ndërmarrë veprime sindikale dhe hapa ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe funksionimin e institucionit publik të informimit.

Në fund, Sindikata kërkon përgjegjësi, reagim të menjëhershëm dhe bashkërendim institucional për të zgjidhur, siç e quan, “një situatë të rëndë e të papranueshme” në Radio Televizionin e Kosovës.

Komunikata e plotë: 

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon nga Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së që të ndërmarrin menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pagave të punëtorëve, në mënyrë që ato të ekzekutohen brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor 2025.

Është jetike që të gjendet zgjidhje urgjente financiare, qoftë përmes bashkëpunimit me bankat, hapjes së një overdrafti të përkohshëm apo çdo mekanizmi tjetër të mundshëm, në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa paga.

Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të veprojë menjëherë, ashtu siç veproi në muajin gusht, kur ndau 2.5 milionë euro për të siguruar funksionimin e RTK-së. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të parandaluar pasojat sociale dhe institucionale që mund të shkaktojë mungesa e pagave.

Është shqetësuese dhe e papranueshme që mediumi i vetëm publik në Kosovë po lihet pa buxhet, ndërsa në anën tjetër po rrezikohet programi, transmetimi dhe funksionimi i plotë i RTK-së, si dhe jetesa e mbi 700 familjeve që varen nga ky institucion.

Në një kohë kur në gjithë shtetin po deklarohet për rritje pagash, në RTK jo vetëm që nuk ka pasur asnjë rritje, por nuk ka as buxhet të mjaftueshëm as për pagat e merituara, e lëre më të flitet për ndonjë rritje. Punëtorët e RTK-së nuk po kërkojnë privilegje, por vetëm pagën që ligjërisht u takon dhe që duhet të ekzekutohet në kohë.

Nëse nuk merren masa të menjëhershme, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të dalë me qëndrime publike, veprime sindikale dhe hapa ligjorë, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe funksionimin e institucionit publik të informimit.

Kërkojmë përgjegjësi, reagim të menjëhershëm dhe bashkërendim institucional për të zgjidhur këtë situatë të rëndë e të papranueshme./lajmi.net/