Sindikata e Policisë përshëndet lirimin e pesë policëve: Besojmë në drejtësi, u bëjmë thirrje të respektohet procesin gjyqësor
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të pesë zyrtarëve policorë, duke e cilësuar këtë vendim si një hap pozitiv drejt respektimit të drejtësisë dhe të të drejtave themelore të njeriut. Në një deklaratë publike, Sindikata ka vlerësuar se ky vendim i marrë…

Lajme
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të pesë zyrtarëve policorë, duke e cilësuar këtë vendim si një hap pozitiv drejt respektimit të drejtësisë dhe të të drejtave themelore të njeriut.
Në një deklaratë publike, Sindikata ka vlerësuar se ky vendim i marrë nga një instancë më e lartë gjyqësore përforcon parimin e prezumimit të pafajësisë, proporcionalitetin e masave dhe trajtimin e dinjitetshëm të zyrtarëve gjatë procedurave hetimore, raporton lajmi.net
“Vendimi për lirimin e pesë zyrtarëve policorë është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” thuhet në reagimin e Sindikatës.
Duke theksuar rëndësinë e ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit, Sindikata ka kujtuar se çdo zyrtar policor ka të drejtë të trajtohet me respekt dhe drejtësi deri në përfundimin e plotë të procedurave ligjore.
Në deklaratë vihet në pah se Policia e Kosovës mbetet një institucion jetik për sigurinë dhe rendin publik, dhe se çdo reagim i parakohshëm ose vlerësim pa përfunduar hetimet mund të dëmtojë integritetin profesional të pjesëtarëve të saj dhe të krijojë pasiguri institucionale.
Sindikata gjithashtu ka shprehur mirënjohje për angazhimin e mbrojtësve ligjorë dhe të familjeve të zyrtarëve, duke theksuar se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë ligjore të çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës.
“Besojmë në sistemin e drejtësisë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë procesin gjyqësor në vijim, pa paragjykime dhe me kujdes ndaj ndjeshmërisë së rastit,” përfundon reagimi i Sindikatës.
Njoftimi i plotë:
Sindikata e Policisë së Kosovës përshëndet vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të pesë zyrtarëve policorë.
Ky vendim, i marrë nga një instancë më e lartë gjyqësore, përbën një hap pozitiv drejt respektimit të parimeve themelore të drejtësisë, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Sindikata e Policisë thekson se gjithmonë ka qenë dhe mbetet përkrah ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit, por njëkohësisht kujton se çdo zyrtar policor ka të drejtë të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi, veçanërisht gjatë procesit hetimor, ku ende nuk është vërtetuar përgjegjësia penale.
Theksojmë se Policia e Kosovës është një institucion jetik për rendin dhe sigurinë publike, dhe çdo vlerësim i ngutshëm, pa përfunduar hetimet e plota, rrezikon të dëmtojë integritetin profesional të punonjësve policorë dhe të krijojë pasiguri institucionale.
Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh besimin e saj të plotë në sistemin e drejtësisë dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të respektojnë procesin gjyqësor në vijim, pa paragjykime dhe me kujdes ndaj ndjeshmërisë së rastit.
Në fund, shprehim mirënjohje për angazhimin e mbrojtësve ligjorë dhe familjeve të zyrtarëve në këtë proces, si dhe garantojmë se do të vazhdojmë të jemi zëri i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe sigurisë ligjore të çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës./Lajmi.net/