Sindikata e Hekurudhave: Ose pagat deri të enjten, ose ndalet treni Prishtinë – Pejë

Sindikata e Pavarur e Hekurudhave – Trainkos Sh.A. në mbledhjen e mbajtur sot me punëtorët e kompanisë Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A. në lidhje me vonesën e pagave për muajin prill 2018, njofton se Menaxhmentit të kompanisë HK – Trainkos Sh.A. i ka dhënë kohë që deri të enjten me datën 17.05.2018 të bëjë pagesën e pagave për punëtorë për muajin Prill 2018.

Lajme

15/05/2018 15:16

“Duhet theksuar se me datën 18.05.2018 (e Premte), nga ora 08:00 deri në ora 09:00, në stacionin hekurudhor të Fushë Kosovës, do të mbahet një protestë 1 orëshe ku do të ndalet edhe qarkullimi i trenit Prishtinë – Pejë, në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave. Kjo është vetëm një masë paralajmëruese për veprimet e tjera sindikale të cilat do të pasojnë pas datës 18.05.2018”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ata nuk kanë asnjë njoftim zyrtar (në formë të shkruar) nga Menaxhmenti i kompanisë në lidhje me arsyen e vonesës së pagave për muajin Prill 2018.

“Sindikata ka pasur mirëkuptim për vonesë të pagave deri me datën 14.05.2018, ndonëse në kontratë kompania është e obliguar që pagesën e pagave ta bëjë deri me datën 05 të muajit vijues. Sindikata e Pavarur e Hekurudhave – Trainkos Sh.A. kërkon nga udhëtarët që të kenë mirëkuptim për ditën e Premte me datë 18.05.2018, ku treni i mëngjesit në linjën Prishtinë – Pejë, do të ketë vonesë 1 orëshe”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kjo sindikatë. /Lajmi.net/