Sindikalistët “festojnë” edhe për këtë 1 Maj

Punëtorët kosovarë as për këtë një maj nuk do të dalin në protesta në mënyrë të organizuar. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në vend të protestës me një maj në ditën e punëtorëve ka vendosur që ta shënojë me një tryezë diskutimi.

Lajme

30/04/2014 16:48

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në vend të protestës, 1 Majin, ditën e punëtorëve ka vendosur që ta shënojë me një tryezë të mërkurën me temën “Çka pas një majit”.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, mos organizimin e protestave, e arsyeton me faktin se problemet duhet të zgjidhen në tryeza diskutimi.

“Përkundër organizimit të përvitshëm që ky manifestim të shënohet për mes protestës, këtë herë shënimin e kësaj dite do ta përkujtojmë me organizimin e tryezës me temën e përmendur”.

“Në përvjetorin e kësaj date natyrisht lind pyetja ‘Çka pas një majit’. Pra  parashtrohet çështja të vazhdojmë me dialog apo të protestojmë? Mirëpo, në këtë kontekst s’duhet harruar faktin se edhe pas protestave përsëri duhet ulur  në tryezë për të negociuar me partnerët në dialog”.

“Vlen për të theksuar se pos protestave të shpeshta të federatave sindikaliste që janë anëtare të kësaj konfederate dhe trysnisë së përbashkët sindikale Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, iu është dashur përsëri të negociojë”.

“Në këtë kuptim mund të thuhet se rreth 90 për qind të kërkesave sindikale, BSPK i ka realizuar përmes dialogut”, tha Arifi.

Ndërkaq, Zëvendës Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Berat Luzha tha se gjendja e punëtorëve kosovarë po përmirësohet, por mbetet ende për tu punuar.

“Një maji i sivjetëm po i gjen punëtorët e Republikës së Kosovës me suksese me rezultate vjetore të reja si në punësim ashtu edhe ngritjen e mirëqenies si dhe në ngritje e sigurisë dhe të kushteve të punës”.

“Sigurisht ende po ballafaqohemi me problemin e papunësisë së lartë dhe me problem të sigurisë dhe të mbrojtëse në punë veçanërisht  në sektorin privat”.

Ai ka përmendur edhe rregullim e infrastrukturës ligjore që është bërë, që lidhen me të drejtat e punës. Luzha ka thënë se dukurit negative që janë të pranishme si abuzimi i detyrës zyrtare evazioni fiskal korrupsioni janë duke u luftuar dhe do të luftohen.

“Pas një maji kemi rrite të pagave të sektorit publik, pensioneve  rrjedhimisht edhe përmirësim të mirëqenës sociale”, tha Luzha.