Simiq me retorikë kërcënuese: Qëllimi është të tërhiqet Serbia në konflikt

Anëtari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka pretenduar se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës janë pjesë e një skenari për ta tërhequr Serbinë në konflikt. Në një intervistë për televizionin serb Happy TV, Simiq deklaroi se “qëllimi është që Serbia me çdo kusht të tërhiqet në ndonjë konflikt”, pasi sipas tij “askujt nuk i…

Lajme

23/07/2026 09:50

Anëtari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka pretenduar se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës janë pjesë e një skenari për ta tërhequr Serbinë në konflikt.

Në një intervistë për televizionin serb Happy TV, Simiq deklaroi se “qëllimi është që Serbia me çdo kusht të tërhiqet në ndonjë konflikt”, pasi sipas tij “askujt nuk i konvenon një Serbi e fortë, e qëndrueshme që po përparon”.

“Kur bëhet fjalë për hapësirën e Kosovës dhe Metohisë, Kurti përdor taktikën ku serbët në këto hapësira i trajton si pengje dhe në këtë mënyrë përpiqet të nxjerrë koncesione të caktuara kur bëhet fjalë për Beogradin”, pretendoi Simiq, transmeton KosovaPress.

Ai i bëri këto deklarata duke komentuar aksionin e autoriteteve të Kosovës për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e liqenit të Ujmanit, duke pretenduar pa ofruar prova se bëhet fjalë për një plan të “spastrimit etnik të serbëve”.

Simiq tha se nuk është rastësi që, sipas tij, rrënimet kanë nisur në komunën e Zubin Potokut. Madje, sërish iu referua Kosovës si “Kosovë e M…”.

“Nëse e dimë se miliona objekte anembanë Kosovës dhe M… janë pa status të zgjidhur pronësor, si është e mundur që shembja e parë të fillojë nga komuna me shumicë absolute serbe në Zubin Potok?”, u shpreh ai.

Ai përsëriti pretendimet se gjoja autoritetet e Kosovës po zbatojnë një “dhunë sistematike ndaj popullit serb”, duke akuzuar institucionet e Kosovës se synojnë dëbimin e serbëve nga veriu.

Në të njëjtën intervistë, Simiq u bëri thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Quint-it që të reagojnë ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës, duke pretenduar se ato janë në kundërshtim me sundimin e ligjit. Porse, ai harroi se institucionet e Kosovës kanë rrënuar objekte pa leje edhe në zonën e Liqenit të Batllavës, Rugovë etj.

Lidhur me këto deklarata ka reaguar eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, i cili ka demantuar deklaratat dezinformuese te Simiqit.

idhur me këto deklarata ka reaguar eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, i cili i ka cilësuar ato si dezinformuese dhe pjesë të një strategjie për ta paraqitur zbatimin e ligjit në Kosovë si “spastrim etnik”.

Kuçi tha se deklarata e Simiqit, sipas së cilës “qëllimi është që Serbia me çdo kusht të tërhiqet në ndonjë konflikt”, është dhënë në një situatë kur institucionet e Kosovës po zbatojnë një vendim administrativ për rrënimin e 11 objekteve të ndërtuara pa leje pranë liqenit të Ujmanit.

“Një deklaratë e tillë nuk lëshohet për publikun pas ndonjë përplasjeje të madhe apo kërcënimi ushtarak, por në një rast ku po zbatohet një vendim administrativ për rrënimin e 11 objekteve pa leje të ndërtuara pranë liqenit të Ujmanit”, theksoi ai.

Sipas Kuçit, përdorimi i termit “spastrim etnik” nga zyrtarët serbë është në kundërshtim me faktet historike dhe synon të krijojë një narrativë të rreme.

“Si është e mundur që shteti që ka kryer spastrimet etnike më të rënda në Ballkan gjatë viteve ’90, sot ta përdorë më së shumti termin ‘spastrim etnik’ për ta paraqitur veten si viktimë dhe për ta arsyetuar tërheqjen e tij në një luftë të re?”, u shpreh ai.

Ai e lidhi retorikën e Simiqit edhe me deklaratën e fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.

Kuçi vlerësoi se reagimi i kryeministrit serb Gjuro Macut nuk e dënoi përmbajtjen e kësaj deklarate, por vetëm mënyrën se si ajo u interpretua publikisht.

Eksperti i sigurisë rikujtoi se ndërhyrje ndaj ndërtimeve pa leje janë ndërmarrë edhe në zona të tjera të Kosovës, si Batllava, Prevalla, Sibovci dhe Rugova, ku vendimet kanë shkaktuar pakënaqësi dhe protesta të banorëve, por, sipas tij, askush nuk i ka cilësuar ato si “spastrim etnik”.

“Pra, Serbia njëkohësisht e artikulon spastrimin etnik si zgjidhje ndaj shqiptarëve dhe e përdor të njëjtin term si akuzë ndaj Kosovës kur institucionet e saj zbatojnë vendime administrative”, tha ai.

Sipas Kuçit, përpjekjet për ta etnizuar zbatimin e ligjit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të Beogradit.

“Veprimet ligjore Serbia synon t’i etnizojë. Rrënimi i 11 objekteve pa leje pranë Ujmanit na konfirmon se Beogradi ka një strategji lufte me plane realizimi afatshkurtra dhe atë synon ta realizojë përmes luftës hibride, sulmeve terroriste apo ‘ndryshimit të rrethanave gjeopolitike'”, deklaroi Kuçi.

Në fund, ai shtoi se stabilokracia ndërkombëtare, sipas tij, po i krijon hapësirë Serbisë që të vazhdojë me këtë qasje, duke e krahasuar me tolerimin që, sipas tij, u është bërë më herët regjimeve autoritare.