“Simbol i vlerave dhe idealeve”: Përvjetori i vrasjes së aktivistit Enver Hadri
Enver Hadri, politikan dhe aktivist nga Kosova, u vra 35 vjet më parë në Bruksel nga shërbimi sekret serb e jugosllav, UDB. Përveç përvjetorit të vrasjes, në këtë jubile, një gjykatë evropiane dha vulën përfundimtare se ai ishte viktimë e luftës për të drejtat e njeriut në Kosovë. Ai kishte azil politik në Belgjikë, ndërsa…

Lajme
Enver Hadri, politikan dhe aktivist nga Kosova, u vra 35 vjet më parë në Bruksel nga shërbimi sekret serb e jugosllav, UDB.
Përveç përvjetorit të vrasjes, në këtë jubile, një gjykatë evropiane dha vulën përfundimtare se ai ishte viktimë e luftës për të drejtat e njeriut në Kosovë. Ai kishte azil politik në Belgjikë, ndërsa u vra nga struktura, prej të cilave kishte ikur, duke kërkuar mbrojtje në shtetin belg.
Teuta Hadri ishte 13 vjeçe kur, diku pas orës 19:00, kur transmetohej ditari kryesor në televizionet belge, e mori në telefon shoqja e shqetësuar, për t’i thënë se prindërit e saj kishin parë në lajme se babai i Teutës ishte vrarë.
E tronditur dhe duke mos dashur të besonte atë që dëgjoi, në ato momente në dyert e shtëpisë u shfaq policia belge për t’i kumtuar gruas se bashkëshorti i saj, Enveri, ishte vrarë.
Enver Hadri ishte aktivist nga Kosova. Në Belgjikë jetonte që nga viti 1972, ku themeloi Komitetin për të drejtat e njeriut në Kosovë. Ishte i përkushtuar që çështja e të drejtave të njeriut në Kosovë të përfshihej në agjendën ndërkombëtare.
U vra nga UDB-ja pikërisht për shkak të aktiviteteve të tij.
Historia e familjes Hadri është e shënuar me tragjedi dhe rezistencë për shkak të besimeve politike.
Personaliteti i babait të Teutës, Enverit, u formësua në një histori që ai nuk e kishte zgjedhur. Më 8 janar të vitit 1945, kur Enver Hadri i kishte vetëm katër vjet, babanë e tij, Islamin, e pushkatuan komunistët serbë e jugosllavë.
Teuta, më e vogla nga katër fëmijët e Enver Hadrit, sot është 48 vjeçe, aq sa ishte babai i saj në momentin e vrasjes, më 25 shkurt të vitit 1990.
Në emër të familjes, vetëm Teuta flet për gjyqin.
Prej vitesh ka qenë aktive me proceset e vrasësve të babait të saj. Ajo tregon se e gjithë përvoja gjatë këtyre viteve i ka shërbyer si një fakultet i juridikut.
“Jeta jonë ka ndryshuar nga ai moment. E kultivoj trashëgiminë dhe vlerat që ai i la pas. Është një krenari për ne që emri i tij nuk harrohet. Ai nuk ishte vetëm babai ynë, por një simbol vlerash dhe idealesh”, thotë Teuta Hadri gjatë bisedës për Radio Evropën e Lirë (REL). Teuta ka diplomë masteri në Sociologji dhe tani punon për të drejtat e azilkërkuesve në Belgjikë.
Ajo ende jeton në të njëjtën shtëpi, në stilin e ashtuquajtur “Maison de maître” (Shtëpia e mjeshtrit), nga periudha neoklasike, e fundshekullit XIX ose fillimit të shekullit XX. Këto shtëpi karakterizohen nga tavane të larta, fasada simetrike, dritare të mëdha dhe ambiente të bollshme.
Shtëpia ndodhet në Bruksel, në Rrugën e Shqipërisë (Rue de l’Albanie). Në të njëjtën shtëpi, dekada më herët, kishte jetuar edhe Faik Konica, shkrimtar, publicist dhe diplomat shqiptar, një nga mendimtarët më të shquar të Rilindjes Kombëtare.
Ndërtesa e shtëpisë tani ka dy pllaka përkujtimore me emrat e Konicës dhe Hadrit.
Vrasja dhe procesi gjyqësor
Enver Hadri u vra më 25 shkurt 1990 në kryeqytetin e vendit ku më 1972 ai kishte kërkuar mbrojtje pas përndjekjes nga shteti serb.
Në Bruksel, në mes të ditës, jo shumë larg nga shtëpia e tij, ndërsa ai ishte në timon dhe ndaloi në një semafor të kuq, u ndal një veturë tjetër nga e cila ulen xhamat e dritareve. Nga aty qëllohet me armë në Hadrin. Në veturë, Hadri kishte listën e shqiptarëve të vrarë në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Parlamentin Evropian.
Të shtënat janë dëgjuar rreth orës 17:00, ndërsa familja, sipas fjalëve të Teuta Hadrit, u informua për vrasjen e tij më shumë se dy orë më vonë.
Në automjetin nga i cili Hadri është qëlluar, sipas dokumenteve gjyqësore, ishin katër persona: Veselin Vukotiq, Andrija Drashkoviq, Andrija Lakoniq dhe Darko Ashanin.
Vrasja ishte urdhëruar nga Bozhidar Spasiq, pjesëtar i shërbimit sekret serb.
Andrija Lakoniq dhe Darko Ashanin janë vrarë në Serbi gjatë viteve ’90 në larje hesapesh.
Personat e tjerë, përgjegjës për vrasjen e Hadrit, janë dënuar dy herë me burgim të përjetshëm për këtë vrasje.
Procesi i parë gjyqësor u mbajt në vitin 2016.
Bozhidar Spashiq, ish-anëtar i shërbimeve sekrete serbe, si dhe Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, janë gjykuar në mungesë dhe janë dënuar me burgim të përjetshëm për këtë vrasje.
Vukotiq dhe Drashkoviq kanë deponuar ankesë kundër vendimit të këtij gjyqi.
Bozhidar Spashiq, urdhërdhënësi i vrasjes, nuk është ankuar kundër vendimit gjyqësor të vitit 2016. Kur nisi procesi i dytë gjyqësor, në janar të vitit 2025, Spasiq u paraqit në mediat serbe, të cilat kanë politika editoriale të ngjashme me ato të presidentit aktual serb, Aleksandar Vuçiq.
Procesi i dytë gjyqësor ndaj Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviqit, i mbajtur gjatë janarit të këtij viti, gjithashtu u zhvillua në mungesë të këtyre dyve.
Për gjykimin e dytë, Andrija Drashkoviq angazhoi avokatët më të njohur në Belgjikë, të ashtuquajturit “peshkaqenë”. Një nga ta është Sven Mari, i cili mbron terroristin e njohur në Belgjikë, Salah Abdeslam, i akuzuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Paris, në nëntor të vitit 2015, dhe në Bruksel, marsin e 2016-ës.
Të dy gjykimet për vrasjen e Enver Hadrit janë zhvilluar në Gjykatën e Jurisë – instancë e lartë penale që trajton krime të rënda si vrasjet, krimet kundër shtetit apo tradhtinë. Vendimi merret nga një juri popullore dhe gjyqtarë profesionalë.
Juria përbëhet nga 12 persona.
“Në dy raste të ndara, 12 persona erdhën në të njëjtin përfundim. Pra, 24 persona të ndryshëm, me prapavija të ndryshme, psikologji apo jetë private të ndryshme, marrin dy vendime identike, në një periudhë 9-vjeçare”, tha Sokol Vlahnji, një nga avokatët e familjes Hadri.
Ku strehohen Vukotiq e Drashkoviq?
Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq aktualisht gjenden në Serbi.
Sipas fletarrestimit ndërkombëtar të lëshuar nga Belgjika, Andrija Drashkoviq u arrestua në Split të Kroacisë në vitin 2015.
Atij i është lejuar që të presë ekstradimin në një dhomë hoteli. Të njëjtën ditë ai u arratis në Serbi.
Nga Prokuroria belge është thënë se nuk presin ekstradimin e Vukotiqit dhe Drashkoviqit, pasi ligjet e Serbisë nuk lejojnë dorëzimin e shtetasve të vet në Belgjikë.
Konteksti politik e historik
Enver Hadri u vra një vit pas suprimimit të autonomisë së Kosovës – krahinës së atëhershme serbe e jugosllave. Shumica shqiptare në Kosovë, me atë rast, u privua nga të drejtat bazike, përfshirë arsimin, mediat dhe çdo lloj jete sociale apo kulturore.
Në Belgjikë, Hadri organizonte protesta për ta përçuar në institucionet relevante ndërkombëtare atë që po ndodhte në Kosovë. Ishte kjo periudhë kur kanalet informative kontrolloheshin nga Beogradi.
“Me babin isha kudo. Më merrte nëpër protesta që i organizonte. Më mësoi ta kultivoj dashurinë ndaj Kosovës dhe kulturës sonë. Mbi të gjitha, më ka mësuar të mos e urrej askënd”, tregon Teuta, e cila e ka ndihmuar rregullisht babanë në përpilimin e letrave dhe komunikatave, pasi frëngjishtja e saj ishte më e mirë, falë shkollimit në Bruksel.
Srgjan Cvijiq me vite ka hulumtuar vrasjet politike në Belgjikë, përfshirë edhe vrasjen e Enver Hadrit. Aktualisht, është duke përfunduar edhe librin mbi këtë temë. Ai konsideron se vrasja e Hadrit ndodhi në mes të tensioneve të shkaktuara pas shfuqizimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“Lobimi i Hadrit për Kosovën në Evropë, sigurisht mori vëmendjen e Beogradit”, thotë Cvijiq.
Ai i mohon pretendimet e Bozhidar Spasiqit se Hadri u vra për shkak se po përgatitej për një atentat ndaj Sllobodan Millosheviqit. Ky aludim, sipas Srgjan Cvijiqit, është absolutisht i pabazë. Sipas tij, këto pretendime janë pjesë e një fushate dezinformimi të UDB-së, të cilën e kishte përsosur edhe pjesëtari i kësaj strukture, Bozhidar Spasiq.
“Më e mundshme duket teoria e shfaqur nga një prej dëshmitarëve gjatë hetimeve, se strategjia e UDB-së ishte që, përmes likuidimit të intelektualëve shqiptarë, të goditet lëvizja kombëtare”, thotë Cvijiq.
Një dëshmitar i mbrojtur në Tribunalin e Hagës në procesin ndaj Millosheviqit, me kodin C-048, kishte deklaruar se likuidimet e aktivistëve kosovarë në Evropë ishin bërë me porosi të shërbimit sekret jugosllav.
Duke dëshmuar në prill të vitit 2003, ky dëshmitar konfirmoi se Veselin Vukotiq vetë kishte pranuar se e ka vrarë Enver Hadrin.
Ai shpjegoi se politika e përgjithshme e shërbimeve sekrete jugosllave ishte likuidimi i intelektualëve shqiptarë, sepse secila humbje e secilit intelektual do t’i dëmtonte shqiptarët e Kosovës.
Millosh Vasiq, që merret me gazetari hulumtuese, serbe e jugosllave, kishte shkruar në vitin 2016, se vrasja e Hadrit ishte “aventura e fundit e UDB-së së ‘çoroditur’”.
UDB-ja ishte shërbimi sekret i Jugosllavisë, i formuar pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte i njohur për operacionet e fshehta dhe aktivitete të spiunazhit, në shërbim të mbrojtjes së regjimit komunist dhe mbikëqyrjen e kundërshtarëve politikë. UDB-ja operoi si një aparat represiv dhe përdorte metoda të dhunshme për të shtypur çdo formë të opozitës dhe disidencës, përfshirë edhe likuidimin e kundërshtarëve politikë.
Në fund të viteve ’80, shërbimi ra kryesisht në duar të nacional-populistëve të udhëhequr nga Millosheviqi, i cili e mori pushtetin në Serbi.
Gjatë viteve ’70, saktësisht nga viti 1972, sipas Srgjan Cvijiqi, pati një shtim të numrit të vrasjeve të emigrantëve jugosllavë nga ana e UDB-së.
Qysh atëherë, ky shërbim, për atentatet e ndryshme, angazhoi kriminelët ordinerë që në këmbim fitonin imunitet nga persekutimi në Jugosllavi.
“Për shkak të këtyre praktikave, ndodhi kriminalizimi i shërbimit sekret federativ. Është gjithashtu interesant që shumë prej autorëve të këtyre vrasjeve u bënë kryekomandantë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi”, pohon Cvijiq.
Verdikti i Gjykatës në Belgjikë për rastin Hadri është i pari në histori për vrasjen e një aktivisti të diasporës nga Kosova.
Teuta Hadri vlerëson se aktgjykimi është një triumf jo vetëm për familjen Hadri, por edhe për të gjithë aktivistët nga Kosova që ishin aktivë gjatë viteve të emigracionit dhe që u vranë nga UDB-ja për shkak të aktiviteteve të tyre.
“Ky gjykim, në aspektin simbolik, nuk është vetëm për babin tim. Kjo është një procedurë për të gjithë ata që humbën jetën për lirinë. Kam parasysh këtu vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën, Vehbi Ibrahimin… Të gjithë ata u angazhuan dhe u sakrifikuan. Në zemrën time, nuk e kam bërë këtë vetëm për babin tim, por për të gjitha viktimat e një regjimi autoritar”, thotë Teuta Hadri.