Sillet para Gjykatës polici i arrestuar për spiunazh, Bojan Jevtiq
Bojan Jevtiq, togeri i Policisë së Kosovës i arrestuar për spiunazh, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai u pa i shoqëruar nga pjesëtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës. Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi për arrestimin e Jevtiqit, pas përfundimit të një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me…

Lajme
Bojan Jevtiq, togeri i Policisë së Kosovës i arrestuar për spiunazh, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai u pa i shoqëruar nga pjesëtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi për arrestimin e Jevtiqit, pas përfundimit të një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar materiale të ndryshme: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, pajisje USB, një armë e shkurtë, municion, si dhe para të gatshme në vlera të ndryshme – 10 mijë euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane. Të gjitha këto prova do të analizohen në vazhdim të hetimeve.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor, i cili deri në arrestim ishte i angazhuar si shef i operativës në policinë kufitare në pikëkalimin “Dheu i Bardhë”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Jevtiq është i arrestuari i gjashtë për spiunazh në Kosovë.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë”, tha ai.