Si u vra i riu Erduan Hajdini mbrëmë në Mitrovicë, flet daja i tij
Mbrëmë në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicën e Jugut, një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur pas një sulmi me thikë që dyshohet se ka ndodhur brenda një banese pranë asaj që njihet si mëhalla e romëve. Si pasojë e sulmit, 37-vjeçari Erduan Hajdini ka mbetur i vrarë, ndërsa një person tjetër ka…
Lajme
Mbrëmë në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicën e Jugut, një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur pas një sulmi me thikë që dyshohet se ka ndodhur brenda një banese pranë asaj që njihet si mëhalla e romëve.
Si pasojë e sulmit, 37-vjeçari Erduan Hajdini ka mbetur i vrarë, ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime trupore.
Detaje për rastin ka dhënë daja i viktimës, Habib Hajdini. Sipas tij, ngjarja ndodhi rreth orës 21, derisa viktima kishte qenë në shtëpi bashkë me vajzën e tij të vogël, vëllain që kishte ardhur nga Gjermania për pushime dhe një një shok të tyre.
Hajdini tha se i dyshuari kishte hyrë në banesë dhe fillimisht kishte biseduar me viktimën, pa lënë të kuptohej se kishte ndonjë konflikt mes tyre.
“Unë viktimën e kam djalë të motrës, jam daja i tij. Po, sipas fjalëve, rasti ka ndodhur diku rreth orës 21:00, ndoshta edhe pak më vonë. Në atë moment viktimës i pati ardhur edhe një vëlla prej Gjermanie, ka qenë në pushim dhe i ka ardhur vëllai prej Gjermanie. Kanë qenë në shtëpi, me ta ka qenë edhe një shok i tyre, të cilët janë përgatitur për me shku në Lipjan në bazë të festës së Bajramit. Me viktimën, vëllai i tij dhe ai shoku i tyre, por viktima e ka pasur edhe një çikë me vete, afër 5-6 vjeçare, në shtëpi aty. Kurse ai personi, ai vrasësi, paska ardhur në atë kohë dhe ka trokitur apo i ka rënë derës, nuk e di, dhe ka hyrë brenda. Pasi ka hyrë brenda, në sallon kishin qenë duke biseduar me viktimën, edhe viktima ka menduar se nuk ka kurrfarë konflikti, kurrfarë problemi me ta. As nuk ka pasur, ndoshta ndonjë shoqëri jashtë, por s’ka pasur ndonjë shoqëri shumë të madhe me ta. Sipas fjalëve që po m’i tregojnë të tjerët, ai si ka hyrë brenda, diçka kanë folur edhe menjëherë me thikë, a çka ka pasur në dorë, i ka mëshuar në fyt. Ai s’ka mundur qysh me u mbrojtur.
Daja i viktimës për Kosovapress tha se në kohën kur i dyshuari ka sulmuar viktimën, vëllai i këtij të fundit dhe shoku i tij kanë qenë në ballkon.
Kurse vëllai i viktimës dhe ai shoku kanë qenë në ballkon atëherë. Kur ka dashur vëllai i tij dhe e ka parë vëllain e përgjakur, e ka parë atë djalin, tha: ‘I janë kuqur sytë, dhëmbët diqysh i kanë dalë jashtë, krejt i humbur’, dhe ka tentuar edhe mua (vëllain) me sulmuar. Tha ka tentuar, por unë jam mbrojtur. Atëherë ky djali, kur është sillë, është mbrojtur, në hundë edhe në buzë e ka të prerë. Atëherë e kanë dëgjuar kojshitë afër qaty. Kurse vëllai i viktimës dhe ky shoku kanë tentuar për me nxënë vrasësin, por ai ka ikur dhe janë kthyer ata menjëherë. Kurse viktima u mundua sigurisht me dalë jashtë, siç janë bërë muri dhe korridori krejt të përgjakshëm. Atëherë këta dy, vëllai i viktimës dhe ai shoku i tij, kanë kërkuar ndihmë prej kojshive. Ka qenë aty një dhëndër i yni, aty i banesës, dhe e kanë marrë, e kanë shti në kerr dhe e kanë dërguar drejt për në spital. Kurse atëherë policia ka reaguar menjëherë, shumë faleminderit prej organeve kompetente, të cilët menjëherë e kanë arrestuar vrasësin edhe këtë e kanë dërguar. Më treguan më vonë që Erduani, 37-vjeçar, ka ndërruar jetë, kurse ky tjetri ka qenë në spital në Prishtinë, e kanë dërguar dhe e kanë mjekuar. Ka ora 02:00 e kanë sjellë këtu. Dikun ka ora 06:00 në mëngjes i kam treguar për vëllain e tij që vëllai i ka vdekur”, tha Hajdini.
Hajdini tha se sipas asaj që i kishin thënë familjarët dhe fqinjët e viktimës, ky i fundit nuk kishte pasur asnjë konflikt të mëhershëm me të dyshuarin.
“Kurrgjë, viktima edhe ai vrasësi s’kanë pasur. Se me qenë diçka, ish dëgju që janë fjalosur apo përpara kanë pasur përleshje apo diçka, dikush na kish treguar. Por sipas fjalëve të disa kojshive, kanë thanë që ai nuk ka pasur me ta kurrgjë hiç, kurrfarë përleshje nuk ka pasur”, ka thënë ai.