Si u pritën në Kosovë dhe Shqipëri deklaratat e Kurtit për gjuhën shqipe në MV?

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut i cili është në Gjykatën Kushtetuese atje, po i konsiderojnë absurde e shqetësuese analistët Arton Demhasaj dhe Ben Andoni. Të hënën pas mbledhjes ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se “nuk mund të thuhet që gjuha…

Lajme

20/11/2024 10:19

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut i cili është në Gjykatën Kushtetuese atje, po i konsiderojnë absurde e shqetësuese analistët Arton Demhasaj dhe Ben Andoni.

Të hënën pas mbledhjes ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se “nuk mund të thuhet që gjuha shqipe ka qenë zyrtare atje dhe se tash po rrezikohet”.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, Kurti është dashur ta dashur ta bëjë temë kryesore çështjen e gjuhës në takimin ndërqeveritar.

Arton Demhasaj thotë se nëse shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut po iu cenohet e drejta e gjuhës, nuk është dashur të ndodh fare mbledhja e dy qeverive.

Sipas tij, deklarimet e Kurtit karshi kësaj çështjeje, janë politike.

“Është absurde një kryeministër i cili që katër vite që qeverisë në Kosovë, Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e ka bërë si tabelë të qitjes, vazhdimisht duke e shantazhuar duke e gjuajtur me kritika të pabaza. Në anën tjetër po ky kryeministër i Kosovës i beson Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut…Janë thjesht politike sepse ky kryeministër ka mbështetur këtë shumicë parlamentare që sot e kemi në Maqedoni të Veriut… Nëse tema kryesore për shqiptarët në Maqedoni të Veriut është tema e gjuhës, kryeministri jonë është dashur minimumi që temë kryesore të diskutimit të dy qeverive me qenë kjo. Ose edhe ta vendosë një lloj kushti ndaj qeverisë së Maqedonisë se për aq kohë sa nuk zgjidhet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nga shqiptarët e Maqedonisë, thjesht nuk kemi çka diskutojmë për tema tjera sepse të gjitha të tjerat janë të parëndësishme në krahasim me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni”, thotë Demhasaj.

Deklaratat e Kurtit për këtë temë i konsideron të çuditshme analisti nga Shqipëria, Ben Andoni.

Andoni, thotë se rishikimi i këtij ligji do të mund ndikonte në prishjen e stabilitetit në MV.

“Janë pak shqetësuese në thelb, për arsyen e vetme, ju e dini tashmë ka dy qëndrime të cilat po i çorientojnë shqiptarët, është ajo e vitit 2001 ku gjuha shqiptare është vendosur si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, pas luftës që u bë dje. Dhe është qëndrimi i mëvonshëm i ligjit që 20 përqindëshit të njohur. Është për t’u çuditur që zotëri Kurti mbron qëndrimin e një pjese të shqiptarëve që është grupi VLEN, ndërkohë që zotëri Ahmeti mundohet që të apelojë për ligjin e vitit 2001. Ajo që është shqetësuese është mënyra se si shqiptarët po shkojnë drejt rishikimit në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për gjuhët….duket që qeverisja e re në Maqedoninë e Veriut ka filluar të rishikojë komplet politikat paraardhëse të tyre, por kjo besoj do të krijojë shumë shqetësime; e para do të prish stabilitet në vend dhe duket që qeveria e Micskoskit vërtetë ka një prioritet dhe po ecën mirë me luftën ndaj korrupsionit, por ndërkohë po shkallon ato ekuilibra që janë vendosur pas vitit 2000”, tha ai.

Në anën tjetër, Demhasaj thotë se vet Kurti ka ardhur “në jetën politike me kauzën për bashkim kombëtar dhe tani kur e drejta e gjuhës po vihet në pikëpyetje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk po bënë presion tek qeveria maqedonase”.

“Një lider si Albin Kurti i cili ka ardhur në jetën politike me kërkesën për bashkim kombëtar, në anën tjetër, kur flasim për diçka që është qenësore për kombin shqiptar që është e drejta e gjuhës për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut edhe kur kjo e drejtë e gjuhës iu cenohet qytetarëve në Maqedoninë e në anën tjetër kryeministri, Kurti nuk e ngritë këtë çështje apo nuk bënë presion tek qeveria e Maqedonisë, por mban takim të përbashkët të dy qeverive dhe flasin për tema për pika kufitare e tema të tjera që janë shumë më pak të rëndësishme sesa e drejta e gjuhës e shqiptarëve në Maqedoni, më duket absurde”, thekson ai.

Ndërkaq, Andoni këshillon kryeministrin e Kosovës të jetë më i kujdesshëm sa i takon marrëdhënieve me udhëheqësit aktualë në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo situatë e tanishme është vërtetë shqetësuese dhe zotëri Kurti duhet të jetë më i kujdesshëm që marrëdhënia me zotëri Micsoski dhe me VMRO-DPMNE mund të jetë e mirë për momentin, por në të ardhmen besoj se do të krijojë shumë probleme brenda vetë komunitetit të shqiptarëve….Nëse Shqipëria do të kishte diplomat më serioz, më të kualifikuar, më historik të themi si personalitete atëherë do të tregonte që kishte një vëmendje të madhe në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe në Kosovë që do të thotë vërtetë ambasadorët tanë janë ambasadorë të nderuar, por kini parasysh që Kosova dhe Maqedonia e Veriut pa çka se ne kemi afërsi shumë të mëdha ka edhe detyrime dhe obligime shumë të mëdha dhe vështirësi jashtëzakonisht të mëdha që më vjen keq të them se nuk shikohet realisht në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Mbi të gjitha ne nuk kemi mjete ta kushtëzojmë njëri-tjetrin “, theksoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për televizion Alsat nga Maqedonia e Veriut, dhe të transmetuar në KosovaPress, tha se nuk e sheh që është në pikëpyetje 20 përqindëshi në Maqedoni të Veriut.

“Tash unë nuk dua të paragjykoj rezultatin që do të thonë mirëpo është dëm i madh që asnjëra prej këtyre dispozitave nuk është vënë në jetë, në përdorim, në zbatim deri më tash. Pse kaq shumë vite pas Marrëveshjes së Ohrit, kaq shumë vite pas kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, dhe ndryshimeve që u bënë aty, as çështja e kartëmonedhave dhe monedhave, as uniformave të zjarrfikëseve policëve, dhe as e gjuhës shqipe në seancat gjyqësore nuk është trajtuar. Sepse po t’i kishim këto të vendosura në praktikë në këtë kaluarën tash do të ishte shumë më e vështirë që të hiqen ato, 20 përqindëshin nuk e shoh që është në pikëpyetje 20 përqindëshi”, ka thënë Kurti.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.

Për Ligjin për gjuhët, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor të këtij viti.

Debati për këtë temë është rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, parti maqedonase e cila e kishte kundërshtuar këtë ligj.

Kjo parti tani bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.

Javë më parë kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka dërguar letër liderëve të rajonit dhe faktorit ndërkombëtar, duke shprehur “shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë e stabilitetin në vend”.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 2001 me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe pas negociatave disa ditore intensive në Shkup.

Dokumenti që njihet si kontratë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i dha fund një konflikti të armatosur në Maqedoninë e atëhershme.

Ditë më parë, Ahmeti ka folur për KosovaPress dhe u ka bërë thirrje politikanëve në Kosovë që të mos heshtin sa i përket shqetësimeve të shqiptarëve në MV.

Ai kërkoi nga qeveria e Kosovës që këtë çështje ta flasë në mbledhjen e dy qeverive, me kryeministrin maqedonas.

Mbledhja ndërqeveritare cila u mbajt të hënën në Prishtinë u karakterizua me deklarata për fqinjësi të mirë.

Aty u nënshkruan tri marrëveshje bashkëpunimi: për pikat kufitare, energjinë dhe arsimin.