Si të dilet nga ky lëmsh?

Nuk është pyetja kryesore si të shpëtojmë edhe kësaj here nga kriza politike, por si t’i evitojmë ato një herë e përgjithmonë në të ardhmen.

Lajme

16/08/2017 15:30

Nuk ka shenja që politika kosovare do të mbledhë mend sipër përvojave shumë të këqija pas-zgjedhore në vitet 2014-të dhe 2017-të, të cilat tre vjet më parë dhe sot e kësaj dite, njohin krizën e thellë politike me pamundësinë e krijimit të lehtë të institucioneve qendrore të Kosovës, gjegjësisht Kuvendit dhe Qeverisë.

Janë një mori burimesh që po shfrytëzohen me të madhe në këtë skenën politike vendore, e cila ka marrë një teposhtëze të madhe që mund të çojë lehtë në një përplasje e cila do të ketë pasoja afatgjata për qëndrueshmërinë e Kosovës.

Nuk ka dilemë që inatet dhe teket personale që po shfaqen gjithnjë e më shumë, janë njëri prej këtyre burimeve. Ato janë më të dukeshme, më brutale, më negative. Pos tjerash, ky tipar mbizotërues ndërlikon mundësinë për një komunikim të drejtpërdrejtë në me të politikanëve dhe partive tona. Në vazhdimësi ne jemi dëshmitarë të monologëve të këtyre politikanëve në rrjetet sociale, në konferencat për shtyp, në intervistat e ndryshme. Në fakt, e gjithë kjo qasje është reduktuar në dërgimin e ‘selameve’ për njeri-tjetrin, që aktualisht ende nuk kanë trajtën e ‘shpalljes së luftës politike’, gjë që mbase është e vetmja gjë pozitive në gjithë këtë rrëfim të çuditshëm dhe të mbrapsht.

Natyrisht, do të ishte iluzion i madh të mendohet që përnjëherësh, për disa javë, apo disa muaj  (dikush mund të thotë edhe disa vjet madje), do të ndryshojë thelbësisht, për të mirë, karakteri i politikanëve tonë dhe që ata do të jenë të gatshëm të sillen si politikanë dhe burrshtetas perëndimor. Tek e mbrama, cinikët këtu do të shtonin që edhe në Perëndim, kjo racë politikanësh të matur dhe të mençur, është në rënie drastike. Duket që këtu, fatkeqësisht, ne jemi pjesë e një degradimi global të demokracisë liberale.

Burimi i dytë i problemeve të mëdha politike në vend është mungesa evidente e reformimit të të gjitha partive politike në Kosovës. Në realitet, këtu ka mungesa të të gjitha llojeve: Prej politikanëve të mirëfilltë, mekanizmave të brendshëm vendimmarrës, debateve për temat strategjike të vendit, etj.etj. Thënë troç: Partitë tona politike sot janë më keq se sa që kanë qetë para dhjetë vjetëve, apo para se Kosova të bëhej shtet i pavarur. Ndërsa do të duhej të ishte e kundërta.

Edhe këtu, në këtë aspekt, nuk mund të llogaritet që brenda një afati kohor disavjeçarë, do të ketë ndryshime thelbësore në cilësinë që do të prodhohet në partitë politike shqiptare të Kosovës.

Burimi i tretë, mbase kryesori, i pengesave, tensioneve, problemeve politike në vend, është reflektim i përmbajtjes dykuptimëshe të Kushtetutës së Kosovës, e cila u ndërlikua edhe më shumë ne interpretimet kreative të përbërjes së kaluar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat sot e kësaj dite po arrijnë ta kthejnë në një lëmsh që nuk tëfillohet dot politikën kosovare. Në këtë kontekst, dalin krejtësisht naive nismat ende të parrumbullakësuara të cilat shtegdaljen nga rrëmuja aktuale e shohin në një tjetër interpretim të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse në ndërkohë, kemi një përbërje tjetër të kësaj Gjykate, dihet që nuk mund të bëhet një tjetër shpjegim i një Vendimi tashmë të marrë nga kjo Gjykatë. Pastaj, nuk duhet pasë farë dije të madhe politike për të marrë vesh që sistemi i tashëm zgjedhor do të vazhdojë të prodhojë, për shkak të vetë përmbajtjes së vet, kriza të vazhdueshme politike, sepse ky sistem është i paracaktuar të ofrojë paqartësi pas-zgjedhore dhe mungesë të fituesve të mirëfilltë.

Për nga pesha dhe për nga rëndësia, ky është burimi vendimtar i krizave të njëpasnjëshme politike në Kosovë. Nëse pra adresohen dhe zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në Kosovë, atëherë ky rezultat do të reflektohet pastaj edhe në kualitetin e partive politike dhe në rënien e ‘vlerës’ së inateve personale.

Mbi të gjitha, procesi i ndryshimit të Kushtetutës dhe i sistemit zgjedhor, është një operacion që mund të kryhet për 9-12 muaj prej shtatorit e tutje. Megjithatë, as këtu nuk bën shumë të llogaritet në vullnetin e mirë të politikanëve të Kosovës. Krijimi i një Tryeze të rrumbullakët politike, por me praninë e përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-së, të Zyres së BE-së dhe të Misionit të OSBE-së, është mënyra e vetme për të çelë udhë për ndryshimin e Kushtetutës dhe të sistemit zgjedhor në Kosovë./Lajmi.net/