Si të dilet nga kriza me furnizim të energjisë elektrike

Kosova duhet të ndërtojë kapacitete të reja të energjisë dhe të fokusohet në energjinë alternative, në mënyrë që të sigurohet furnizim i rregullt me energji elektrike ka thënë njëherësh ish-ministër i energjisë, Ethem Çeku.

Lajme

27/09/2014 14:40

Qytetarët e Kosovës që nga pas lufta po përballen me reduktime të mëdha të energjisë elektrike, sidomos në stinën e dimrit.

Problemet me furnizimi të energjisë elektrike për kosovarët do të ketë edhe gjatë këtij dimri që po vjen.

Eksperti për çështje energjetike, njëherësh ish-ministër i energjisë, Ethem Çeku, për Radion Evropa e Lirë, konsideron se alternativa e vetme për të dalë nga situata e krijuar është rivitalizimi i termocentraleve ekzistuese dhe ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”. 

Ndërkaq, Visar Azemi, nga koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, thotë se mungesa energjisë vije për shkak të humbjeve komerciale.

“Duhet të kthemi te rivitalizimi, rregullimi i plotë i blloqeve të termocentralit ‘Kosova A’, dhe po ashtu edhe të ‘Kosovës B’. Do të thotë më nuk kemi asnjë alternativë nga ato idetë e famshme se termocentralin ‘Kosova A’ duhet ta bëjmë rrafsh me tokë”.

“Tani duhet të kthemi te blloqet e termocentralit ‘Kosova A’ të bëjmë investime jo të vogla, por të mëdha, në mënyrë që të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike derisa të ndërtohet termocentrali ‘Kosova e Re’”, vlerëson Çeku.

Por, sipas një marrëveshjeje që ka nënshkruar Republika e Kosovës me Komunitetin e Energjisë së Evropës Juglindore, termocentrali “Kosova A” duhet të mbyllet deri në fund të vitit 2017, termocentral ky që mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.

Përveç rivitalizimit të domosdoshëm të termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B”, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, thekson se autoritetet kompetente duhet të fokusohen në energjinë alternative dhe ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Kurse, Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, thotë për Radion Evropa e Lirë, se  arsye pse energjia elektrike nuk mbërrin te konsumatorët, nuk është për shkak se nuk ka sasi të mjaftueshme të energjisë, por janë humbjet komerciale dhe moskursimi i rrymës nga konsumatorët.

“Deklaratat e fundit se gjatë këtij viti do të ketë reduktime, janë deklarata false dhe i shërbejnë vetëm momentumit dhe pjesën që ne kemi parë se KEK-u dhe KEDS-i kanë kërkuar rritjen e energjisë për të arsyetuar një rritje të tillë, të cilën ne si shoqëri civile e kemi kundërshtuar në forma të ndryshme”, thotë Azemi. (REL)