“Si rrallë herë tash në Kosovë tashmë s’ka kush ua shërben kafenë”- Gastronomia vihet në fron të parë për mungesën e punëtorëve

Një nga sektorët më të prekur nga ikja e punëtorëve në Kosovë, është Gastronomia. Shumë kafiteri e restorane janë prekur nga kjo problematikë. Madje në shumë raste tashmë kafeja merret me vete, shkaku i mungesës së kamarierëve. Për dukurinë në rritje të largimit të punëtorëve të sektorit privat nga vendi ka folur Kryetari i Shoqatës…

Lajme

05/07/2024 14:03

Një nga sektorët më të prekur nga ikja e punëtorëve në Kosovë, është Gastronomia.

Shumë kafiteri e restorane janë prekur nga kjo problematikë.

Madje në shumë raste tashmë kafeja merret me vete, shkaku i mungesës së kamarierëve.

Për dukurinë në rritje të largimit të punëtorëve të sektorit privat nga vendi ka folur Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica.

Vranica thotë se një largim të tillë të punëtorëve që i takojnë sektorit të gastronomisë në veçanti mund t’a cilësojmë si krizë, shkruan lajmi.net.

“Është krizë, gastronomia është në vijën e parë të frontit gjithmonë duke e marrë parasysh edhe numrin e bizneseve. Edhe tipin e ekonomisë e kemi të bazuar në tregti e jo në prodhim. Është numër jashtëzakonisht i madh i bizneseve. Po ashtu, duke e marrë parasysh që një i treti gjatë jetës së tij punon diku me gastronomi, normalisht që po”, deklaroi ai.

Vranica thotë se arsyeja e ikjes së punëtorëve në gastronomi është sepse me ta nuk janë marrë sa duhet mekanizmat e duhur.

“Në gastronomi është një indikator më i frikshëm i ikjes së punëtorëve sepse nuk janë marrë ndoshta mekanizmat e duhur që me e dallu kaq shumë ikjen e punëtorëve përmes platformave, agjensioneve që lidhen me këtë punë, ose më balancimin e fuqisë punëtore, kërkesës dhe ofertës. Nuk është ndërmarrë mjaftueshëm, ka fillu dy tri vitet e fundit mirëpo gjithë këto vite kjo pëlhurë para syve e vendit tonë normal që tash ka me kushtu. Kur nuk merren hapat e duhur në kohën e duhur normal që edhe pasojat kanë me qenë më të mëdhaja”, u shpreh ai.

Ndërsa për pjesën se si bizneset në gastronomi po i’a arrijnë t’a menaxhojnë ikjen e punëtorëve, Vranica thotë se një numër i konsiderueshëm i tyre po i ngrisin standardet e kushteve të punëtorëve.

“Disa i rrisin kushtet e punëtorëve, nuk paguajnë më me kesh por përmes bankës. Ja u plotësojnë më shumë nevojat e tyre bazike e shëndetësore, e të cilat rrjedhimisht e jo rastësisht janë më të konkurrueshme. Pastaj, bashkëpunojnë edhe me agjensione të huaja,”, shtoi ai.

Vranica thotë se goditjen më të madhe në këtë mes e marrin bizneset e vogla.

“Normalisht bizneset e mëdha janë duke e menaxhu më mirë, bizneset e mesme janë në rregull, por bizneset e vogla janë të goditura. Mirëpo, më një anë tjetër bizneset e vogla janë edhe të privilegjuara në atë kuptim që bizneset familjare funksionojnë shumë mirë te ne, dhe këto biznese normalisht që e kanë më lehtë edhe t’i përballojnë dhe tejkalojnë sfidat”, përfundoi ai.

Ndryshe, nga ajo se çfarë mund të shohim zakonisht një pjesë e konsiderueshme të bizneseve në fushën e gastronomisë kanë kaluar edhe në metodën “Take Away” e cila i ndihmon ata në një periudhë kohore si kjo që gjetja e punëtorëve për të përmbushur kërkesat e klientëve duket të jetë goxha sfiduese./Lajmi.net