Si po iu keqpërdoren kartelat bankare kosovarëve? BQK ka pranuar 36 ankesa për keqpërdorim të kartelave Debit

Qytetarët në Kosovë ende po vazhdojnë të bëjnë manipulime me kartelat financiare. E një rast i ngjashëm u raportua hiq më larg se dy javë më parë, ku Policia e Kosovës arriti të kryente bastisje në tri lokacione ku dyshohej për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë, dhe – keqpërdorimi i…

Lajme

31/03/2025 20:53

Qytetarët në Kosovë ende po vazhdojnë të bëjnë manipulime me kartelat financiare. E një rast i ngjashëm u raportua hiq më larg se dy javë më parë, ku Policia e Kosovës arriti të kryente bastisje në tri lokacione ku dyshohej për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë, dhe – keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

E pikërisht problemi i keqpërdorimit të këtyre kartelave bankare nga njerëz të pandërgjegjshëm, shpesh herë i dëmtoi shumë qytetarë në mënyrë financiare.

Të njëjtëve iu keqpërdorën kartelat duke iu hyrë në sistem e duke kryer pagesa nga më të ndryshmet.

Këto vështirësi që po u bëhen qytetarëve nga keqpërdorimi i kartelave të tyre në disa raste raportohet, e në disa rastet thjesht mbetet si rast (duke u lutur) që të mos ndodhë më.

Krahasuar me vitin e kaluar në dy muajt e parë të këtij viti nuk shihet të ketë ndonjë rritje të ankesave edhe në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Lidhur me këto keqpërdorime që po bëhen nga persona të dyshimtë, lajmi.net ka kontaktuar me Bankën Qendrore të Kosovës nga ku u tha se bazuar në kërkesat rregullative të gjitha bankat dhe institucionet financiare janë të obliguara që të zhvillojnë dhe të zbatojnë procedurat e sigurisë me rastin e realizimit të transaksioneve me instrumente të pagesave-kartela.

Sipas BQK-së, në kuadër të Edukimit Financiar në mënyrë të vazhdueshme janë të angazhuar për të sensibilizuar publikun për nevojën dhe kujdesin e duhur në shërbimet digjitale dhe përdorimin e platformave të ndryshme financiare.

“Në kuadër të Edukimit Financiar, në mënyrë të vazhdueshme është angazhuar të sensibilizojë publikun për nevojën dhe kujdesin e duhur në shërbimet digjitale dhe përdorimin e platformave të ndryshme financiare”, kanë thënë nga BQK.

Tutje nga ky institucion kanë thënë se çdo posedues i kartelës është i njoftuar se duhet t’i përmbahet rregullave të sigurisë të specifikuara në kontratën e nënshkruar me banka-institucion financiar, dhe duhet të sigurojë që asnjë e dhënë e kartelës të mos zbulohet tek palët e treta.

“Është evidente se çdo mbajtës/posedues i kartelës duhet t’i përmbahet rregullave të sigurisë të specifikuara në kontratën e nënshkruar me banka/institucion financiar, dhe duhet të sigurojë që asnjë e dhënë e kartelës të mos zbulohet tek palët e treta”, thuhet në përgjigje.

Përgjatë 12 muajve të vitit të kaluar dhe dy muajve të parë të këtij viti nga BQK, kanë thënë se janë raportuar vetëm 36 ankesa.

“Sa i përket numrit të rasteve të raportuara si ankesa në BQK, nuk vërejmë një rritje të tyre, dhe gjatë vitit 2024, janë pranuar dhe trajtuar vetëm 36 ankesa lidhur me keqpërdorimin e Debit apo Kredit kartelës, të cilat janë trajtuar me tutje”.

Për të ulur këto keqpërdorime nga BQK, thonë se kanë themeluar strukturë të dedikuar të mbikëqyrjes së praktikave të tregut si dhe të mbikëqyrjes së sistemeve të informacionit apo rrezikut kibernetik.

“Bazuar në përkushtimin e saj për të ngritur kapacitetet, BQK-ja ka themeluar strukturë të dedikuar të mbikëqyrjes së praktikave të tregut dhe për mbikëqyrjen e sistemeve të informacionit apo rrezikut kibernetik”, thuhet në përgjigjen për lajmi.net.

Po ashtu nga Banka Qendrore e Kosovës shprehen se të gjitha ankesat apo shqetësimet e qytetarëve mund të adresohen përmes portalit të Ankesave (https://ankesat.bqk-kos.org/), “ku BQK është e përkushtuar që të trajtoj me kujdes secilën ankesë apo shqetësim të pranuar, gjatë gjithë kohës duke mbrojtur konfidencialitetin dhe integritetin e rasteve të paraqitura”.

Ndërkaq për BQK-në, nuk është hera e parë që trajton raste të tilla të keqpërdorimit të kartelave financiare nga qytetarët të cilët të dhënat e tyre i shpërndajnë nëpër “valë”, të ndryshme e ku mundësia e manipulimeve është e lartë ani pse në Kosovë vitin e fundit nuk pati rritje të rasteve.

Në të shumtën e rasteve këto keqpërdorime janë raportuar të kenë shfrytëzuar kartelat e qytetarëve, duke bërë blerje e në disa raste edhe duke transferuar shuma të ndryshme të parave.

E pikërisht për këtë pati edhe të tjerë që jetuan në Kosovë, por keqpërdorën kartelat bankare e njerëzve të huaj anembanë botës.

Pikërisht për një hetim të tillë muaj më parë u njoftua se FBI ka arrestuar qytetarin nga Kosova, i cili po bënte keqpërdorime të tilla për një kohë të gjatë.

Arrestime të ngjashme ka pasur edhe para disa viteve, por që pavarësisht rrezikut për dënim- kjo vepër po vazhdon të bëhet edhe më e shpeshtë.

Shpesh herë keqpërdorimet bëhen duke ua marrë fjalëkalimet e kartelave nga linqe të ndyrshme të cilat iu dërgohen që t’i klikojnë në rrjetet sociale. Për këtë shpesh herë autoritetet e vendit kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes të shtuar./Lajmi.net/