Si po e cenon spiunazhi sigurinë kombëtare të Kosovës ?
Çdo lloj i spiunazhit kundrejt Kosovës është i rrezikshëm dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Kështu po vlerësojnë njohës të sigurisë në vend. Sipas tyre edhe komunikimi me njerëz të afërt me persona që janë shpallur terroristë nga Kosova paraqesin rrezik për vendin. Ndërsa, sot gjatë ditës KosovaPress ka raportuar se vjehrri i terroristit Milan Radojiçiq,…

Lajme
Çdo lloj i spiunazhit kundrejt Kosovës është i rrezikshëm dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Kështu po vlerësojnë njohës të sigurisë në vend. Sipas tyre edhe komunikimi me njerëz të afërt me persona që janë shpallur terroristë nga Kosova paraqesin rrezik për vendin.
Ndërsa, sot gjatë ditës KosovaPress ka raportuar se vjehrri i terroristit Milan Radojiçiq, Seat Rexhepagiq ka pasur raporte të afërta më të dyshuarën për spiunazh Jelena Gjukanoviq.
Lidhur me këtë njohësi i sigurisë, Arben Dashevci thotë se çdo person që bashkëpunon me persona që janë shpallur terrorist nga Qeveria e Kosovë rrezikon sigurinë nacionale të vendit.
“Çdo lloj i spiunazhit kundrejt Republikës së Kosovës është i rrezikshëm, sepse cenon definitivisht dhe drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Çdo person ose individ që kontakton me ata njerëz që janë shpallur terrorist nga Qeveria e Kosovës nga organet e sigurisë që janë në listën e kuqe të Interpol dhe që kanë pas qasje destruktive ndaj Kosovës që e kanë cenuar direkt sigurinë nacionale të Kosovës dhe çdo njeri që bashkëpunon me ta dhe ndan ndonjë informacione në dëm të Kosovës dhe këto cilësohen si shumë të rrezikshme”, theksoi ai.
Eksperti i sigurisë Burim Ramadani thotë se inteligjenca e Serbisë në luftën armiqësore kundër Kosovë në aspektin e spiunazhit vazhdimisht po përdorë komunitetin serb në Kosovë. Ramadani thotë se lufta përmes spiunazhit nuk përfundon shpejt.
“Kosova ka qenë e sulmuar në vazhdimësi që prej përfundimit të luftës me luftë armiqësore të spiunazhit edhe nga Serbia edhe nga Rusia, por po ashtu edhe nga shtetet tjera sikurse është Irani dhe të tjera të cilat në vazhdimësi nuk e njohin shtetësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht qëllimi i këtyre aktiviteteve armiqësore të spiunazhit ka të bëjë jo vetëm me mbledhjen e informacionit për zhvillimet politike apo ekonomike në Kosovë. Por, po ashtu edhe ndikimin në i brenda shtetit të Kosovës në faza të ndryshme…rrjedhimisht është e qartë se inteligjenca e Serbisë në luftën e saj armiqësore kundër Kosovës në aspektin e spiunazhit ka predispozita edhe të përdorimit të pjesëtarëve të komunitetit serb që ekzistojnë dhe jetojnë në Kosovë dhe si e tillë jo vetëm për shkak të gjuhës dhe qëllimeve të ngjashme apo të njëjtë politike që kanë po ashtu kanë edhe traditën në kuptimin e vazhdimësisë që kanë pas edhe në lidhjet me shtetin e Serbisë dhe qëllimet kundër shtetit të Kosovës”, theksoi ai.
Jelena Gjukanoviq, e cila u arrestua nën dyshimin se po bashkëpunonte me BIA-në serbe ishte e punësuar në OSBE. Ajo është arrestuar në shkurt të këtij viti në regjionin e Mitrovicës, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale spiunazhi.
Seanca fillestare ndaj Jelena Gjukanoviq, e cila ngarkohet për spiunazh do të mbahet më 16 shtator.
Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të dyshuar për spiunazh. Bëhet fjalë për një person me iniciale H.S., i cili akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.2025, ka bashkëpunuar me BIA-n.
Gjatë këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur edhe aktakuza të tjera për spiunazh.